Lajmet e fundit

Kryetari Veseli mbrëmë shtroi iftar për nxënësit e Medresesë “Alaudin” në Prishtinë

E Enjte, 16.07.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, në kuadër të Muajit të shenjtë të Ramazanit, mbrëmë shtroi iftar për nxënësit e Medresesë "Alaudin" në Prishtinë.

Duke u dëshiruar nxënësve mirëseardhje, kryetari Veseli përcolli mesazhin e unitetit dhe të rritjes së respektit ndaj njëri-tjetrin, duke e kthyer besimin ndaj zotit në dashuri midis njerëzve.
"Ramazani është muaji i vlerave të humanizmit, sikurse janë paqja, mirëkuptimi, toleranca dhe solidariteti ndërnjerëzor. Këto vlera nuk i kanë munguar asnjëherë popullit tonë dhe ne sot duhet të angazhohemi të gjithë në forcimin e këtyre vlerave", theksoi kryetari Veseli.

Kreu i Kuvendit potencoi domosdoshmërinë e ruajtjes e të mos cenimit të të ardhmes së vendit tonë nga çdokush që mund ta pretendojë këtë. Në këtë funksion, kryetari Veseli porositi nxënësit që të mbeten të përkushtuar pas shkollimit, duke e konsideruar arsimimin e brezave parakushtin kryesor të një shteti të fuqishëm e të prosperuar.

Drejtori i Medresesë, Bahri Simnica, nga ana e tij, falënderoi kryetarin Veseli për pritjen e organizuar, duke e konsideruar këtë një tregues të rëndësishëm të respektit dhe përkujdesjes institucionale.

Para iftarit, nxënësit vizituan ndërtesën e Kuvendit dhe u njohën për së afërmi me ambientet e institucionit më të lartë legjislativ dhe përfaqësues të vendit.