Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport
E Mërkure, 15.07.2015
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Nait Hasani, kryetar, shqyrtoi dy projektligje dhe një vendim të Ministrisë së Arsimit.
Komisioni shqyrtoi në parim dhe e përkrahu Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, duke i rekomanduar seancës miratimin e tij.
Lidhur me Projektligjin për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, komisioni u pajtua që para shqyrtimit të mëtejmë të tij, të njihet më për së afërmi më praktikat e funksionimit të akademive simotrave në vendet e rajonit.
Në mbledhjen e sotme, komisioni, shqyrtoi dhe përkrahu gjithashtu, vendimin e Ministrisë së Arsimit për themelimin e Universitetit publik të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, duke e proceduar atë për ratifikim në seancë plenare.