Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 14.07.2015
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit, shqyrtoi Raportin vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), për vitin 2014.
Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i bordit të ARKEP-it, Ekrem Hoxha, i cili ofroi një pasqyrë të punës së deritashme, sfidat dhe të arriturat e ARKEP-it. Duke folur për objektivat e ARKEP-it, Hoxha theksoi përkushtimin e tyre për promovimin e konkurrencës dhe liberalizimin e çmimit të shërbimeve, ndërkaq, për sfidat që ata kanë, nënvizoi ato të natyrës financiare. Për tejkalimin e sfidave të tyre, ai kërkoi edhe mbështetjen e komisionit.
Në këtë takim, ai foli edhe për marrëveshjen për telekomunikacionin, e cila është arritur gjatë dialogut me Serbinë, për të cilën tha se është bërë në harmoni të plotë me ligjet e vendit. Lidhur me operatorët ilegalë, ndërkaq, Hoxha sqaroi se atyre do t'iu pamundësohet ky aktivitet me jetësimin e marrëveshjes.
Anëtarët e komisionit vlerësuan se raporti përshkruan në mënyrë korrekte aktivitetet e deritashme të ARKEP-it, por, kërkuan përkushtimin e tyre edhe më të madh në tejkalimin e sfidave. Ata po ashtu vlerësuan se është e domosdoshme që Qeveria, sa më shpejt të ofrojë propozimet për anëtarët e rinj të bordit të ARKEP-it.