Lajmet e fundit

Dëgjim publik në Komisionin për Arsim lidhur me Projektligjin për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

E Hënë, 13.07.2015




Komisioni për Arsim,Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit,mbajti sot një dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Qëllimi i Projektligjit është përkufizimi i funksionit të përgjithshëm të ASHAK-ës. Akademia është institucioni më i lartë i shkencës dhe i artit në Republikën e Kosovës,është institucion i mëvetësishëm në fushën e shkencës dhe të artit i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, theksohet në tekstin e Projektligjit, i cili është hartuar në bashkëveprim të MASHT-it dhe të Akademisë.


Në këtë dëgjim merrnin pjesë edhe ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, si dhe një grup akademikësh, të prirë nga Hivzi Islami, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Duke i bërë një vështrim këtij Projektligji, Arsim Bajrami theksoi se përshëndet këtë dëgjim publik që bëhet për një Projektligj, i cili do të jetë në funksion të së ardhmes. Ai në vijim tha se Projektligji avancon edhe më tej Akademinë, ndërsa është hartuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, si një parakusht thelbësor në funksionimin aktiv të Akademisë.

Ai foli edhe për dispozitat e ligjit të cilat përcaktojnë moshën e pranimit të anëtarëve të rinj,deri në cilën moshë mund të ushtrojnë akademikët funksione aktive në Akademi etj. Në shqyrtim të parë, theksoi ai, ky Projektligj nuk ka pasur vërejtje të mëdha, vërejtjet më shumë ishin të karakterit gjuhësor.
Kryetari i ASHAK-ës, Hivzi Islami, theksoi se Akademia si institucion më i lartë i shkencës dhe artit në vend, po realizon veprimtarinë e saj në pajtim me ligjin, organizon tubime e konferenca shkencore të ndryshme, duke u përfshirë njëkohësisht edhe në veprimtari me karakter ndërkombëtar shkencor. Avancohet kështu mendimi shkencor, duke mos harruar edhe funksionin e saj këshillues edhe në veprimtari shoqërore. Si nga kryetari, ashtu edhe nga akademikët tjerë, u përmendën edhe shenja tjera identifikuese të profilit të Akademisë, e cila tashmë shënon 40-vjetorin e veprimtarisë. Akademia zhvillon bashkëpunim të gjerë me akademitë simotra nga Evropa dhe bota, ndërsa është edhe anëtare e ALLEA-s, federatë e akademive të shkencave nga vende të Evropës. Në këtë frymë u tha se Akademia edhe në kohët më të vështira diti të ruajë substancën e vet.

Si akademikët , ashtu edhe anëtarët e Komisionit bënë edhe vërejtje, propozime e plotësime të nduarnduarshme në Projektligj, duke u angazhuar për pasurimin mëtejmë të tekstit të tij. Diskutuesit angazhoheshin që në tekstin e Projektligjit nuk duhet të ketë vend për ndonjë nen që vë pragje për pranimin e studiuesve të rinj,që sjell ndonjë pengesë në kuadër të bashkëpunimit me asociacione të akademive nga bota etj. Pranimi në ALLEA është edhe një fakt se ASHAK-ja është pranuar në këtë asociacion, sepse është institucion i depolitizuar, u tha me këtë rast. Në mbledhja u thanë fjalë përgëzuese për anëtarët e grupit që hartuan tekstin e Projektligjit.