Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme
E Hënë, 13.07.2015
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Jashtme, të kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i komisionit, ka raportuar Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi.
Në hapje të debatit rreth kësaj çështjeje, kryetari i komisionit Hoxhaj, vuri në pah se deri më tani nuk ka marrëveshje të nënshkruar që përcakton kufirin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, ndërkaq, nga anëtarët e Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit, kërkoi të studiohen me kujdes dhe profesionalizëm të lartë dokumentet që ata posedojnë.
Në vijim raportoi kryetari i Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, Murat Meha.
Ai i siguroi të pranishmit se nuk do të ketë ndryshim të kufijve ndërshtetëror prej atyre të vitit 1974. Më pas, Meha tha se se dokumentet, të cilat ata posedojnë dhe shërbehen me to janë të vitit 1974. Posedojmë, tha ai në vijim, edhe dokumente të para këtij viti, e që përputhen me ato të ‘74-ës. Me të njëjtat dokumente, sqaroi tutje Meha, shërbehet edhe Komisioni i Malit të Zi, ndërkaq, janë dokumente të pranueshme për të dyja palët, thai.
Lidhur me pakënaqësitë dhe dyshimet e shprehura nga qytetarët lidhur me këtë çështje, Meha sqaroi, se ato vijnë më shumë nga frika se sa nga rreziku real që mund të ekzistojë, dhe shtoi se prona nuk i rrezikohet askujt përgjatë vijës kufitare me Malin e Zi. Duke iu referuar fakteve që ata posedojnë, i pari i këtij komisioni kujtoi kur banorë të asaj ane shfrytëzonin prona të shumta për kullosa dhe tatimin e paguanin në Rozhajë. Është dashur që atje të paguhet tatimi, sqaroi ai, sepse, prona ka qenë në atë anë të kufirit të atëhershëm dhe kjo praktikë është zhvilluar në rrethana të ndryshme prej atyre që janë sot. Meha ka dhënë sqarime sa u përket edhe dy pikave të tjera kontestuese, në Çakor dhe Kullë.
Sqarimet dhe dokumentet e ofruara nga Komisioni shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, u kontestuan me këmbëngulje nga deputeti i AAK-së, njëherësh lider i këtij subjekti, Ramush Haradinaj. Ai i vlerësoi të pasakta deklarimet e anëtarëve të Komisioni shtetëror, ndërkaq, në shenjë mospajtimi me ta, braktisi mbledhjen e komisionit.
Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre pasi që premtuan mbështetje për komisionin shtetëror, po ashtu kërkuan kujdes gjatë punës së tyre dhe përkujtuan po ashtu, se asnjë marrëveshje e nënshkruar nuk mund të jetësohet pa miratimin e saj nga Kuvendi.