Lajmet e fundit

Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit

E Premte, 10.07.2015




Në vazhdimin e mbledhjes plenare të Kuvendit, të kryesuar nga nënkryetari, Xhavit Haliti, deputetët miratuan në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-001 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015. Diskutimet për këtë projektligj kanë përfunduar në mbledhjen plenare të djeshme.

Po ashtu, u miratuan edhe Rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin e qytetarëve të Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit, Rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të Energjisë Elektrike, emërimi i anëtarit në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, si dhe Raporti vjetor për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2014.

Në vijim, deputetët shqyrtuan Projektligjin për faljen e borxheve publike, që u prezantua nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke sqaruar se falja e borxheve duhet të bëhet me ligj të veçantë dhe se tashmë është caktuar periudha kohore deri në faljen e tyre. Pasi sqaroi faktin se do të falen të gjitha obligimet financiare, si ato ndaj shërbimeve publike, ashtu edhe ndaj ndërmarrjeve publike, ai tha se nga ky ligj do të përfitojnë personat fizik që kanë qenë në gjendje të rëndë ekonomike.

Ndërkaq, Naser Osmani, kryetar i Komsionit për Buxhet dhe Financa, arsyetoi raportin me rekomandime të komisionit.
Osmani vlerësoi se sipas këtij projektligji do të falet borxhi publik dhe çdo shumë e tij, si dhe çdo obligim që vjen nga mospagesa me kohë sipas datës së përcaktuar në këtë ligj. Shuma e borxhit që do të falet është rreth 680 milionë euro, ndërkaq shtoi se ky projektligj i përmbush kriteret e përcaktuara dhe e rekomandoi për votim.

Qëndrimin pro këtij projektligji të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, e paraqiti edhe Labinotë Demi.

Ndërkaq, Glauk Konjufca, Donika Kadaj dhe Valdete Bajrami, para se të shfaqin qëndrimin e grupeve parlamentare që ata përfaqësojnë (Vetëvendosje, AAK dhe Nisma) lidhur me këtë çështje, shprehën shqetësimin e tyre lidhur me votimin e Rekomandimeve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin e qytetarëve të Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit, duke përmendur me këtë rast kërkesat e 13 mijë qytetarëve.

Konjufca tha se janë votuar disa rekomandime që e anulojnë peticionin e qytetarëve dhe se duhet të anulohet vendimi.
Ndërkaq, sa i përket Projektligjit për faljen e borxheve Konjufca tha se Qeveria është dashur të kategorizojë borxhlinjët, duke përmendur me këtë rast bizneset që sipas tij kanë qenë manipulative ndaj Kosovës dhe është dashur t'i nënshtrohen ligjit. Sipas tij kjo krijon pabarazi ndaj qytetarëve. Ai tha se ata që i kanë borxh shtetit duhet të ndahen në dy kategori: borxhlinj nga hallet dhe borxhlinj manipualtiv.

Edhe Donika Kadaj Bujupi, shprehu pakënaqësinë e saj ndaj rekomandimeve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin e qytetarëve të Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit, duke lëshuar me këtë rast sallën me deputetët opozitar, pasi asaj iu ndërpe fjala nga kryesuesi, meqë sipas tij, nuk i përmbahet rendit të ditës.

Nënkryetari Haliti tha se nëse ka pakënaqësi atëherë mund të procedohet sërish, sipas rregullave, ngase shtoi ai, si kryesues ka proceduar sipas rendit të ditës. "Mos e keqpërdoni foltoren e Kuvendit për interesa elektorale", tha Haliti.
Ndërkohë disa nga deputetët opozitar u kthyen në mbledhjen plenare.

Valdete Bajrami, shefe e Grupit Parlamentar Nisma tha se qeveria është dashur të bënte një analizë të këtyre borxheve, për faktin pse është lejuar një pagesë kaq e gjatë. Po ashtu, u kritikua edhe Administrata Tatimore e Kosovës që nuk ka ndërmarrë veprime ndaj bizneseve, duke u shprehur se këto biznese janë të ledhatuara nga Qeveria apo ATK-ja.

Deputetët me shumicë votash përkrahën në parim Projektligjin për faljen e borxheve, ndërkaq po ashtu shqyrtuan dhe miratuan edhe Raportin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për vitin 2014, si dhe Raportin e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2014.