Lajmet e fundit
Mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 09.07.2015
Mbledhja e sotme plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryetari, Kadri Veseli, (një pjesë u kryesua edhe nga nënkryetari Xhavit Haliti), filloi me një minutë heshtje të deputetëve, në shenjë nderimi për viktimat e Masakrës së Srebrenicës, gjatë luftës në Bosnjë, që ndodhi njëzet vjet më parë.
Me këtë rast, kryekuvendari Veseli, para se të ftojë deputetët e Kuvendit për një minutë heshtje në ditën e përkujtimit global të Srebrenicës që po i bëhet sot viktimave të saj, tha se sot 20 vjet më parë, në verën e vitit 1995, në Srebrenicë të Bosnjës, u bë krimi më i madh në Evropë që pas përfundimit të Luftës së dytë Botërore, e njohur si Maskra e Srebrenicës.
"Brenda dy ditësh mbi 8 mijë burra u masakruan barbarisht nga njësitë ushtarake të gjeneralëve të Millosheviqit. Mijëra familje u shkatërruan përgjithmonë . Një qytet që datonte prej kohës romake u zhbë brenda pak orësh. Fjalët gjenocid e spastrim etnik sërish njollosën ndërgjegjjen njerëzore. Bota u trondit. Krimi në Srebrenicë shfaqi natyrën e vërtetë të regjimit të Millosheviqit që vetëm tri vjet më vonë , në të njejtën barabari, u shfaq në fshatrat dhe qytetet e Kosovës.
Njëzet vjet pas krimit në Srebrenicë, e 16 vjet pas krimeve të bëra në Prekaz, Izbicë, Suharekë, Mejë, Gjakovë, e në vende të tjera të Kosovës, drejtësia nuk është përmbushur akoma. Është e domosodshme që drejtësia të vihet në vend, sepse krimet e padenuara ndjellin vetëm kobe të reja", tha kryekuvendari Veseli.
Në vijim Kuvendi filloi me pikat e rëndomta, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa në pyetjet e deputetëve u përgjigjën ministrat: Imet Rrahmani, ministër i Shëndetësisë, Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ferid Agani, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Lutfi Zharku, ministër i Infrastrukturës.
Kuvendi para se të fillojë me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-001 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, votoi për shmanige nga rregullorja, në mënyrë që ky projektligj në shqyrtim të parë dhe të dytë të bëhet me procedurë të shpejtuar.
Kërkesën për këtë çështje e paraqiti, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani. Ai tha se shqyrtimi i parë duhet të bëhet gjatë mbledhjes së sotme, ndërkaq amendamentet për rishikimin e buxhetit mund t'i adresohen komisionit funksional deri më 13 korrik, ndërkaq në komisionet e përhershme ky proces të përfundojë më 14 korrik. Osmani deklaroi se deri më 15 korrik raportet me rekomandime duhet të paraqiten në Komisionin për Buxhet. Në vazhdim, ai ka sqaruar se shqyrtimi i dytë i këtij projektligji duhet të bëhet në seancën plenare më 16 korrik 2015, ndërkaq kërkoi miratimin e deputetëve për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit për procedurën e përshpejtuar. Osmani arsyetoi këtë kërkesë për faktin se ka të bëjë me marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar , duke përmendur se më 24 korrik në Uashington do të shqyrtohet kjo marrëveshje.
Pas deklarimit të qëndrimit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës se mbështesin propozimin e komisionit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kundërshtuan këtë propozim.
Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se sa i përket procedurave të përshpejtuara, vlerëson se kjo po ndikon negativisht në cilësinë e projektligjit, duke shprehur faktin se deputetët nuk kanë kohë të mjaftueshme për të paraqitur amendamente cilësore që e përmirësojnë ligjin. Konjufca vlerësoi se në rishikimin e buxhetit nuk ka ndonjë ndryshim, ndërsa kërkoi që ligji t'i nënshtrohet procedurave të rregullta.
Ndërkaq, Donika Kadaj-Bujupi, shefe e Grupit Parlamentar të AAK-së, duke paraqitur qëndrimin kundër rishqyrtimit të përshpejtuar të këtij projektligji, tha se deputetëve u nevojitet afate të mjaftueshme kohore për shqyrtim. Andaj, ajo kërkoi që të respektohet rregullorja dhe ligjet në fuqi.
Megjithatë, propozimi i deputetit Naser Osmani për shamngie nga rregullorja mori mbështetjen e deputetëve dhe Kuvendi vazhdoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-001 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015,
Pikë e rendit të ditës së sotme ishte edhe zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës. Megjithatë kjo çështje me shumicë votash të deputetëve, është hequr nga shqyrtimi gjatë mbledhjes së sotme, pas kërkesës së shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.
Për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-001 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, fillimisht foli ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke e vlerësuar faktin se me këtë rishikim, buxheti do të jetë real dhe do të mundësojë arritjen e zhvillimeve të parapara nga qeveria. Ai mes tjerash ka përmendur negociatat që kanë pasur me FMN-në dhe për pajtueshmërinë e arritur.
Sipas Hotit propozimi për rishikim të buxhetit është në harmoni të plotë me marrëveshjen e arritur me FMN-në.
Më tej, aika përmendur edhe mbivlerësimin e buxhetit të vitit të kaluar, për të hyrat që ka pasur, duke shtuar se përfomanca e realizimit të inkasimit të të hyrave nga Dogana e Kosovës dhe ATK-ja është përmirësuar dukshëm krahasuar me vitin e kaluar. Pasi përmendi aprovimin e një pakoje të reformave fiskale, vlerësoi se projektet kapitale nuk janë hequr në këtë rishikim dhe se janë siguruara të gjitha shërbimet që kanë qenë të planifikuara në buxhet.
Pasi Naser Osmani, kryetar i Komisionit për Buxhet, paraqiti rekomandimin e komisionit për miratimin e këtij projektligji, Labinotë Demi-Murtezi dhe Besa Gaxherri shpalosën qëndrimin pro të grupeve parlamentare, përkatësisht Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Deputetja Gaxherri tha se në bazë të këtij projektligji Kosova ka stabilitet fiskal dhe se në këtë rishikim janë propozuar kursimet, pagat, meditjet, mallrat, shërbimet, subvencionet, etj, dhe se është ruajtur tërësisht struktura e projekteve kapitale, duke përmendur edhe rritjen e buxhetit prej 14 për qind.
Albin Kurti, duke folur në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se rishikimi i buxhetit për vitin 2015 nuk mund të na i mbyllë sytë para faktit se bëhet fjalë për qeverinë dhe qeverisjen e njejtë. "Gjithë ajo fushatë për vende të reja të punës, zhvillim të bujqësisë, prodhimtarisë, etj, nuk mund të gjendet në këtë buxhet.", tha me këtë rast ai.
Duke përmendur marrëveshjen me FMN-në, ai tha : "Huamarrja në parim mund të jetë pozitive, atëherë kur është për zhvillim, prodhim e progres, por kur huamarja është për mbijetëse, mirëmbajtje, ajo jo vetëm që është e keqe dhe e dëmshme, por mund të bëhet fatale", tha Kurti, duke vlerësuar se kjo mund t'i hap rrugë krizës në vend.
Donika Kadaj -Bujupi, duke kritikuar mosprezencën e plotë të kabinetit qeveritar tha se aprovimi me nxitim i këtij projektligji mund të ketë qenë pjesë e marrëveshjeve mes partive të koalicionit, ndërkaq duke folur për rishikimin e propozuar të buxhetit, tha se ka zvogëlim të buxhetit , në të hyra dhe në shpenzime. Duke kritkuar këtë projektligj, Kadaj, tha se qytetarët e Kosovës duhet të përgatiten për ditë edhe më të vështira.
Edhe Enver Hoti, duke folur në emër të Grupit Parlamentar Nisma, tha se asnjë zhvillim e asnjë objektivë nuk po mund të realizohen siç janë parashikuar. Hoti duke kritikuar procedurën e përshpejtuar të këtij projektligji tha se asnjë projekt nuk është parashikuar për Komunën e Malishevës. "Kjo është e dëmshme, selektive dhe e papranueshme.Jemi të privuar nga mundësia për të dhënë kontributin në komisione sikurse edhe për organizatat buxhetore", tha ai.
Në vazhdim të mbledhjes, foli edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa. Ai fillimisht tha se pajtohet me vërejtjet e dhëna gjatë këtij debati dhe shtoi se ka qenë buxhet i trashëguar dhe se nuk kanë pasur kohë e as mundësi të analizojnë gjatë vitit të kaluar të gjithë parametrat buxhetor. Ndërkaq, sa i përket këtij rishikimi buxhetor, kryeminsitri Mustafa vlerësoi se kanë bërë përpjekje që të bëjnë ndryshime dhe plotësime që do t'i përshtaten nevojave koherente.
"Nuk mund t'i plotësojmë ambiciet tona zhvillimore, por kemi bërë përpjekje ristrukturimin që të jetë buxhet i përshtatshëm deri në fund të vitit", tha Mustafa duke sqaruar mes tjerash se është ruajtur niveli i pagave dhe meditjeve.
Pasi deputetët shfaqën qëndrimet e tyre pro dhe kundër Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-001 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, mbledhja e Kuvendit është shtyrë për ditën e nesërme (e premte), duke filluar nga ora 10:00.