Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 07.07.2015
Realizimi i rekomandimeve të dala nga Raporti i Progresit, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit.
Për adresimin e sfidave të dala nga ky raport, folën përfaqësuesit e tri ministrive të linjës, përkatësisht, ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Blerand Stavileci, zv. ministri i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Hanefi Muharremi dhe Avni Kastrati, zv. ministër në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).
Duke iu referuar sfidave, me të cilat MZHE-ja duhet të përballet, ministri i kësaj ministrie njoftoi se ata janë të përkushtuar në përmbushjen e detyrimeve të dala nga raporti, ndërkaq, kërkoi angazhimin e të gjithëve.
Ministri Stavileci vuri në dukje përpjekjet për tejkalimin e problemeve të energjisë elektrike, telekomunikacionin, efiçiencën e energjisë dhe prodhimin e saj, ndërmarrjet publike dhe çështje të tjera që ndërlidhen me këtë ministri. Ai, po ashtu, dha disa sqarime edhe për projektin e termocentralit " Kosova e Re" si dhe për mënyrën e trajtimit të termocentralit "Kosova A".
Për tejkalimin e sfidave që gjenden para tyre, ministri tha se ato duhet trajtuar me kujdes të veçantë, ndërkaq, bashkëpunimi ndërministror tha se është i domosdoshëm.
Për angazhimet në Ministrinë e Infrastrukturës, foli zv. ministri Hanefi Muharremi. Ai tha se kjo ministri ka harmonizuar legjislacionin me atë të BE-së, si dhe ka marrë hapa konkret në të gjitha fushat e komunikacionit.
Lidhur me sfidat dhe tejkalimin e tyre në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, raportoi zv. ministri i kësaj ministrie, Avni Kastrati.
Ai foli për hapjen e tregut, subvencionimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, lëvizjen e lirë të mallrave dhe çështje të tjera që ndërlidhen me Raportin e Progresit të KE-së.
Anëtarët e komisionit, ngritën edhe një varg çështjesh dhe kërkuan angazhim edhe më të madh në tejkalimin e sfidave që përmban raporti. Ata kritikuan mosformimin e bordeve në disa ndërmarrje publike, përkatësisht, mosprocedimin e propozimeve për Bordin e AKP-së dhe bordeve të tjera që i raportojnë Kuvendit.
Raporti i Progresit të KE-së për Kosovën për këtë vit, pritet të publikohet në tetor.