Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Marte, 07.07.2015
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga zv.kryetari i parë, Ali Sadriu, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar një sërë raportesh që kanë të bëjnë me fushën e financave.
Pikë e parë shqyrtimi ishte Rekomandimet nga Raporti vjetor i Qeverisë së Republikës së Kosovës për funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës, për vitin 2014. Me këtë rast, këto rekomandime morën mbështjetjen unanime të anëtarëve të Komisionit.
Në vijim, Komisioni ka diskutuar lidhur me vendimin e propozimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, që ka të bëjë me kandidatin për kryesues të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm. Anëtarët e Komisionit u dakorduan që kjo çështje të mos shqyrtohet nga Komisioni, por të procedohet për shqyrtim në Kryesinë e Kuvendit.
Shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2014, nuk u bë, në mungesë të ministrit të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku për të raportuar lidhur me këtë raport.
Tutje, Komisioni ka shqyrtuar Raportin e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Administratës Publike, për vitin 2014, si dhe Raportin e Auditimit të Performancës për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare. Për këtë çështje ishte i ftuar ministri i Administratës Publike, z. Mahir Yagcilar, i cili dha sqarime të shumta para anëtarëve të Komisionit, pas prezantimit të këtyre raporteve nga ana e përfaqësuesve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.
Komisioni ka kërkuar sqarime lidhur me shpenzimin e buxhetit të kësaj ministrie në tre muajt e fundit, ndërsa ka ngritur shqetësime të shumta sa i përket Raportit të Auditimit të Performancës për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare.
Keqpërdorimi i automjeteve zyrtare, shuma e lartë e shpenzimeve të tyre, mungesa e mbajtjes së të dhënave për pjesët e ndërruara, mungesa e çmimeve referente dhe koordinimi i paefektshëm brenda dhe në mes organizatave buxhetore individuale, ishin çështje që u shtruan nga Komisioni.
Bazuar në raportin e ZAP-it, u tha se çmimet e artikujve të blerë janë të kushtueshme krahasuar me ofertat tjera, ndërkaq duke përmendur dhe kritikuar mangësitë që po hasën në prokurim lidhur me trajtimin e mirëmbajtjes dhe riparimit të automjeteve, ata kërkuan sqarime nga ministri lidhur me vlerën e lartë të riparimeve të këtyre mjeteve.
Ata kërkuan që paraprakisht të bëhet hulumtimi i tregut sa i përket çmimeve për servisim të automjeteve dhe se duhet të posedohet regjistri i saktë nga insistucionet për mjetet e ndrruara.
Ministri Yagcilar gjatë diskutimit të tij tha se menaxhimi lidhur me këto çështje has në vështirësi, ndërkaq shtoi se duhet të formohet një ekip nga të gjitha institucionet për gjetjen e një zgjidhjeje."Duhet të bëjmë një analizë më të thellë të kësaj çështjeje dhe duhet të gjendet një formë më e mirë", tha Yagcilar, ndërsa shtoi se MAP-i do të veprojë sipas rekomandimeve të ZAP-it.
Pas këtij diskutimi , Komisioni vlerësoi se kjo çështje duhet të procedohet për diskutim edhe në seancë plenare.
Sa i përket raporteve të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare, të Policisë së Kosovës, si dhe të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për vitin 2014, si dhe për Raportin e Auditimit të Performancës për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare, ato janë shtyrë për një mbledhje tjetër të radhës, në mungesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, si dhe të kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci.
Komisioni në vijim ka shqyrtuar edhe raportet e Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Doganës së Kosovës, si dhe të Administratës Tatimore të Kosovës, për vitin 2014, si dhe për Raportin e Auditimit të Performancës për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare. Me këtë rast, kanë raportuar krerë të këtyre institucioneve: Lulzim Rafuna, drejtor i Doganës së Kosovës, si dhe u.d i dejtorit të ATK-së, Nahit Sharku.
Sa i përket Doganës, u vlerësua se ky institucion nga 7 rekomandime, ka adresuar 5 sosh. Ndërsa, ATK-ja nga 13 rekomandime , 3 sosh ka adresuar dhe 4 janë në proces, ndërsa 6 nuk i ka adresuar fare, duke kërkuar nga ATK-ja adresim të rekomandimeve të ZAP-it.
Pas këtyre diskutimeve lidhur me këto raporte, Komisioni u dakordua që Raporti i Auditimit të Performancës për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve zyrtare të procedohet për diskutim në seancë plenare.
Kjo çështje do të procedohet menjëherë pas shqyrtimit të raporteve të mbetura për mbledhjet e radhës.