Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit

E Hënë, 06.07.2015




Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, kryesuar nga zv.kryetarja e parë, Selvije Halimi, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe përkrahur këto raporte me amendamentet e komisioneve funksionale të këtyre Projektligjeve: Projektligjit nr. 05/L-29 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, Projektligjit nr. 05/L-28 për Tatimin në të Ardhurat Personale, Projektligjit nr. 05/L-37 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Projektligjit nr. 05/L-027 për digjitalizimin e transmetimeve radio- difuzive tokësore, Projektligjit nr. 05/L-22 për Armë, si dhe Projektligjit nr. 03/L-246 për Pajisje me Armë, Municion dhe Pajisje Përkatëse të Sigurisë për Institucionet e Autorizuara Shtetërore për Siguri. Ndërkaq, raporti me amendamente të komisionit funksional në Projektligjin nr. 05/L-15 për Letërnjoftim, është hequr nga rendi i ditës.

Komisioni më tej ka vazhduar edhe me shqyrtimin për procedimin e Projektligjit për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Diskutimet për këtë projektligj patën përfunduar (në mbledhjen e 30 qershorit), ndërkaq Komisioni pati përkrahur tekstin e projektligjit, pa përfshirë nenin 5.
Me këtë rast riformulimet e këtij neni, që kanë të bëjnë me aktet e miratuara nga Kuvendi, i prezantoi kryetari i Nën-Komisionit për Mandate, Imunitet dhe Rregulloren e Kuvendit, Armend Zemaj dhe u mbështetën nga anëtarët e Komisionit.

Me shumicë votash, Komisioni miratoi Projektligjin për procedim në Qeverinë e Republikës së Kosovës për të dhënë mendimin.

Krejtësisht në fund, Komisioni ka përkrahur edhe raportin vjetor të punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vitin 2014.