Lajmet e fundit

Deputeti Milazim Haliti mori pjesë në Konferencën e përfaqësuesve të komisioneve për siguri dhe mbrojtje të parlamenteve të Evropës Juglindore, në Beograd

E Premte, 03.07.2015




Nga data 29 qershor - 1 korrik 2015, në Beograd është mbajtur Konferenca vjetore e përfaqësuesve të komisioneve për siguri dhe mbrojtjeve të parlamenteve të vendeve të Evropës Juglindore, në të cilën, Kuvendi i Kosovës u përfaqësua nga deputeti Milazim Haliti.
Në konferencë u diskutua për situatat e fatkeqësive të rënda natyrore, me theks të veçantë për vërshimet me pasoja të mëdha dhe viktima në njerëz.
Në fjalën e tij, deputeti Haliti kërkoi që edhe Kosova të jetë anëtare e barabartë me shtetet e tjera të Evropës Juglindore, në organizatat respektive të sferës së sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe ofroi mundësinë e dhënies së ndihmës nga ana e Kosovës, nëpërmjet ekipeve të specializuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Z. Haliti kërkoi gjithashtu që në të ardhmen e afërt, një takim i tillë, i këtij niveli, të mbahet edhe në Kosovë.
Prezantimi i z. Milazim Haliti në cilësi të deputetit të Republikës Kosovës dhe fjala e tij në këtë takim, hasi në reagime në mesin e deputetëve të caktuar të Parlamentit serb. Përkundër kësaj, prezantimi zyrtar dhe legal i përfaqësuesit të Kuvendit të Kosovës, si dhe pasqyrimi i gjendjes reale nga ana e tij, u përkrah nga deputetë të parlamenteve të tjera, pjesëmarrës në këtë takim.
Në fund të takimit, pjesëmarrësit u pajtuan për një deklaratë të përbashkët.