Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
E Enjte, 02.07.2015
Mbledhja e Kuvendit të Kosovës, e nisur më 25 qershor, ka vazhduar sot nën kryesimin e kryeparlamentarit, Kadri Veseli.
Fillimisht është proceduar me zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Kandidatët i paraqiti kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione Lirije Kajtazi, e cila njoftoi edhe për rrjedhën e deritashme të këtij procesi.
Pas votimit, (i cili është bërë me vota të fshehta), rezultoi që kandidatët të kenë marrë këto vota nga deputetët: Isa Hasani 9, Hilmi Jashari 63 dhe Shqipe Ibraj- Mala 5 vota. Bazuar në këtë rezultat të votimit, komisioni konstatoi se Hilmi Jashari zgjidhet Avokat i Popullit.
Pas kësaj, Avokati i porsazgjedhur Jashari, para deputetëve dha betimin për paanshmëri gjatë mandatit të tij si Avokat i Popullit.
Mbledhja vijoi me miratimin në parim të dy projektligjeve (Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patenta dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për markat tregtare) të shqyrtuara në mbledhjen e kaluar të Kuvendit.
Po ashtu, në parim është miratuar edhe Projektligji për rregullimin e shërbimeve të ujit.
Vijoi pastaj shqyrtimi i Propozim-vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për formimin e Komisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës, të cilin në emër të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, e paraqiti deputetja Albulena Haxhiu. Pas shqyrtimit të tij, Kuvendi me shumicë votash e miratoi Propozim-vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, ndërkaq, nuk arriti të emërojë një anëtar në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.
Pas kësaj, Kuvendi shqyrtoi Raportin vjetor për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2014. Lidhur me këtë, deputetët me anë të votës u deklaruan kundër këtij raporti, ndërkaq, në vijim është formuar Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, i përbërë nga përfaqësues të të gjitha grupeve parlamentare. Është miratuar po ashtu kërkesa e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për shtyrjen e afatit për shqyrtimin e Projektligjit për Digjitalizimin e transmetimeve radiodifuzive tokësore.
Debati i paraparë në këtë mbledhje plenare, lidhur veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës, nuk është mbajtur, për shkak se inicuesja e këtij debati, deputetja Albulena Haxhiu, kërkoi tërheqjen e tij nga rendi i ditës. Tërheqjen e kësaj pike nga rendi i ditës, ajo e arsyetoi me mungesën e kryeministrit dhe kabinetit të tij në seancë.