Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 01.07.2015
Komisioni për Buxhet dhe Financa, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit, shqyrtoi Raportin me amendamente të Grupit Punues për Projektligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, Raportin me amendamente të Grupit Punues për Projektligjin për Tatimin në të Ardhurat Personale dhe Raportin me amendamente të Grupit Punues për Projektligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Kryetari i Komisionit, Naser Osmani, paraqiti para deputetëve raportet e grupeve punuese për këto tri projektligje, duke i njoftuar ata se janë trajtuar edhe komentet e dërguara nga komuniteti i biznesit në Komision, si dhe sugjerimet e deputetëve me rastin e shqyrtimit në lexim të parë të këtyre projektligjeve. Ai njëherësh dha sqarime për amendamentet e propozuara nga grupet punuese. Komisioni me disa ndryshime miratoi amendamentet e propozuara dhe i procedoi të tri projektligjet në tutje në Kuvend.
Komisioni po ashtu, si pikë plotësuese të rendit të ditës, shqyrtoi në parim Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015. Për përmbajtjen e këtij Projektligji foli zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi. Përkitazi me këtë rishikim ai tha se nuk ka ndarje të reja. Z. Krasniqi në vijim tha se Projektligji është në përputhje me negociatat e zhvilluara me FMN-në për Programin e ri. Ai në vazhdim foli edhe për parametrat kryesorë të të hyrave dhe shpenzimeve , si dhe ndryshimeve , që janë bërë në Ligjin bazik. Komisioni e përkrahu dhe njëherësh e procedoi këtë Projektligj tutje në Kuvend.