Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Mërkure, 01.07.2015




Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, së bashku me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), organizoi sot një dëgjim publik lidhur me mundësitë e financimit të transmetuesit publik në Kosovë. Në këtë dëgjim ishin të pranishëm edhe Driton Selmanaj nga KDI-ja, kreu i Bordit RTK-ës, dhe ai i menaxhmentit, përkatësisht Ismet Bexheti dhe Mentor Shala, kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Adnan Merovci, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Duke hapur debatin, Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit, theksoi se tashmë ka filluar të bëhet plotësim -ndryshimi i Ligjit për RTK-ën, që ka për qëllim gjetjen e një mënyrë sa më të mirë të ligjshme për financimin e RTK-ës. Në këtë frymë ai tha se janë duke u bërë përpjekje që të gjendet forma sa më adekuate e financimit të RTK-ës. Si në fjalën e tij ashtu edhe të diskutuesve të tjerë, u tha se në këtë aspekt shtrohen shumë çështje, që kanë të bëjnë më raportin e sigurimit të financimit të përhershëm, si dhe ruajtjes së njëkohshme të pavarësisë editoriale të transmetuesit publik. U tha se po bëhen përpjekje që në rajon , por edhe më gjerë, të gjendet ekuivalenti më i mirë në këtë aspekt,duke marrë si shembull :Shqipërinë,Malin e Zi, Maqedoninë,Kroacinë, si modelin më të mirë në Rajon etj. Synohet forma më e mirë e financimit, e cila do të jetë afatgjatë.
Gjatë diskutimit më shumë preferohej buxhetimi i transmetuesit publik nga ana e shtetit, ose parapagimit,por derisa i pari shihet si një pengesë në pavarësinë editoriale, i dyti është vështirë të realizohet, qoftë nëpërmjet faturave të energjisë elektrike,ose të ndonjë forme tjetër të ngjashme.
U fol me këtë rast edhe për çështjen e besimit të shikuesve në transmetuesin publik. Kishte mendime se sa më shtetëror nga aspekti i financimit të jetë trasmetuersi,aq më pak ka ai besim te shikuesit. Mirëpo, për këtë çështje, u tha se, duhet të flitet me argumente. Para se të jepen vlerësime e perceptime të këtilla duhet të shikohet metodologjia që është ndjekur për të ardhur deri te një përcaktim i saktë. Në këtë vështrim u tha se në besimin e shikuesve ndaj transmetuesit, nuk ndikon vetëm forma e financimit, në këtë ndikojnë edhe shumë faktorë të tjerë.
Në fjalën përmbyllëse,z. Pajaziti, theksoi se është shtuar interesimi i njerëzve përgjegjës për çështjen e financimit të transmetuesit publik. Bëhen përpjekje për të gjetur mënyrën më të mirë të transmetuesit. Tash për tash nuk kemi zgjidhjen më të mirë, por me debate të mëtejme do të bëhen përpjekje për të gjetur formën më adekuate të financimit. Ai tha se tashmë Komisioni ka marrë edhe amendamentet nga Bordi i RTK-ës, mirëpo sa i përket Ligjit për RTK-në, nuk bëhet fjalë vetëm për çështjen e financimit. Me këtë çështje duhet të njihet opinioni i gjerë, ndërsa ky dëgjim është i pari drejt gjetjes së zgjidhjes sa më të mirë të mënyrës së financimit të transmetuesit publik, u tha në këtë dëgjim.