Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim
E Hënë, 29.06.2015
Rishqyrtimi i Planit të Punës për gjashtëmujorin e parë, të vitit 2015, ishte temë kryesore e rendit të ditës së mbledhjes së sotme të Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim. Në mungesë të kryetares së Komisionit, mbledhjen e kryesoi nënkryetarja e dytë, Myfera Shinik. Gjatë debatit anëtarët e Komisionit folën për ngecjet në punën e deritashme të Komisionit, si dhe mungesën në mbledhje të deputetëve serbë. Si pasojë e mosangazhimit nuk u realizuan disa aktivitete të planifikuara sipas planit të gjashtëmujorit të parë. Diskutuesit angazhoheshin për një punë më këmbëngulëse të Komisionit, që ai të jetë më funksional, duke treguar më shumë vullnet për punë,me qëllim që në gjashtëmujorin e dytë, pos detyrave të reja, të kompensohen edhe planet e gjashtëmujorit të parë, që nuk janë sendërtuar.
Në këtë mbledhje u tha se Plani i Punës për gjashtëmujorin e dytë duhet të ndryshohet edhe me propozime e plotësime të reja nga anëtarët e grupit punues, në kuadër të të cilit duhet të angazhohen të gjithë anëtarët e Komisionit.