Lajmet e fundit

Mbledhja plenare e Kuvendit

E Premte, 26.06.2015




Në mbledhjen e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryekuvendari Kadri Veseli, u shqyrtua propozim-amendamenti nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa duke paraqitur para deputetëve propozimin për këtë amendament, sqaroi fillimisht se kryetari i Kuvendit i është referuar Gjykatës Kushtetuese që të marrë opinion për përshtatshmërinë kushtetuese të këtij amendamenti dhe se Gjykata Kushtetuese i është përgjigjur Kuvendit dhe ka konfirmuar se ky amendament është në harmoni të plotë me Kushtetutën dhe nuk cenon sovranitetin e pushtetit gjyqësor dhe as të drejtat e njeriut, ndërkaq ftoi deputetët e Kuvendit që ta votojnë këtë amendament. Mes tjerash ai ka theksuar se themelimi i Dhomave të Specializuara dhe i Kryeprokurorit të Specializuar do të merret me individë që dyshohen se kanë kryer krime.
Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu, refuzoi që të paraqesë raportin e komisionit me rekomandime për këtë çështje. "Refuzoj politikisht që ta lexoj një rekomandim politik të Komisionit. Është e turpshme ajo se çfarë kanë bërë deputetët e pozitës në Komision", tha ajo.
Ndërkaq, zëvendës/kryetarja e këtij Komisioni, Selvije Halimi, tha se Komisioni ka shqyrtuar këtë amendament të propozuar nga Qeveria dhe ka vendosur me shumicë votash që ky amendament të procedohet për shqyrtim në Kuvend, pa ndonjë rekomandim.
Glauk Konjufca, kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje para fillimit të trajtimit të kësaj çështje kërkoi nga kreu i Kuvendit që të kërkojë tërheqjen e forcave policore nga ambientet e Kuvendit të Kosovës. Një shqetësim të tillë e shfaqën edhe kryetaret e grupeve parlamentare të AAK-së dhe Nismës, (Donika Kadaj-Bujupi e Valdete Bajrami).
"Në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk ka asnjë polic. Ndërsa, oborri është i menaxhuar nga MPB-ja dhe unë nuk e udhëzoj askënd", tha Veseli, ndërkohë kërkoi publikisht që në oborrin e Kuvendit të mos ketë forca policore.
Më tej, Kuvendi vijoi me shqyrtimin e propozim-amendamentit nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për të cilën çështje kryetarët e grupeve parlamentare shfaqën qëndrimet e tyre pro dhe kundër.
Me këtë rast, Adem Grabovci (PDK), fillimisht tha se gjendemi para një prove dhe para një vendimi tepër të rëndësishëm për të ardhmen e shtetit dhe popullit të Kosovës. "Kemi një raport të njohur dhe të ashtuquajtur të Dick Marty, i cili ka ngritur vendime absurde për ne dhe ne duhet ta pastrojmë vetveten nga ato pretendime. Vlerësoj se nuk kemi nevojë që të frikësohemi nga askush dhe jemi të thirrur që ta mbrojmë luftën tonë dhe interesat e qytetarëve të Kosovës në mënyrë të argumentuar. Duhet të ballafaqohemi me këto pretendime në mënyrë të argumentuar. Vendimi i PDK-së është i qartë dhe publik, i kemi dhënë mbështetje këtij amendamenti", tha Grabovci.
Edhe Ismet Beqiri (LDK), duke përmendur vendimin e Gjykatës Kushtuetese se ky propozim është në harmoni të plotë me Kushtetutën dhe nuk cenon liritë dhe të drejtat e njeriut, tha se Grupi Parlamentar i LDK-së e mbështetë këtë amendament. "Duke marrë parasysh letërkëmbimin e presidentes Jahjaga dhe baroneshës Ashton dhe ratifikimin e tij në Kuvend, si dhe sqarimet e Qeverisë dhe duke e analizuar situatën dhe pas konsultave të vazhdueshme disa mujore në nivele të ndryshme dhe me ekspertë dhe miqtë tanë ndërkombëtarë dhe duke marrë parasysh obligimet tona shtetërore dhe nivelin tonë të përgjegjësisë, si dhe duke qenë të bindur se zbulimi i së vërtetës nuk e dëmton luftën e UÇK-së, meqë kemi bërë një luftë të drejtë dhe këtë askush nuk mund ta njollosë, atëherë LDK i jep mbështetje këtij amendamenti dhe vota jonë do të jetë pro.", tha Beqiri.
Glauk Konjufca (Vetëvendosje), duke paraqitur edhe qëndrimin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje kundër themelimit të Gjykatës Speciale, tha se këto 26 vite, në këtë ambient u pat suprimuar autonomia e Kosovës, dhe se sot 26 vite pas, po kërkohet një vendim nga ne, për ta shqyrtuar dhe gjymtuar sovranitetin e vendit.
"Deputetë, mos e votoni Gjykatën Speciale, ngase kjo e përmbysë realitetin historik. Mos e votoni Gjykatën Speciale se e rrënon sovranitetin e sistemit tonë gjyqësor dhe kjo gjykatë e tkurr sovranitetin e Kosovës. Kjo është një gjykatë selektive, ajo nuk e trajton asnjë krim të Serbisë. Të mos votosh Gjykatën Speciale nuk do të thotë të jesh kundër drejtësisë dhe ne nuk jemi kundër drejtësisë. Kjo është fotografia e Valmirit të vrarë. Çfarë t'iu themi këtyre familjeve për gjakun e familjeve të tyre. Dhe, gjykata speciale nuk ka drejtësi për këta njerëz, ", tha Konjufca (ndërkaq shfaqi fotografinë e 2 vjeçarit Valmir Deliu, i vrarë në vitin 1998 nga forcat serbe. Ai po ashtu përmendi edhe 22 anëtarët tjerë të masakruar të familjes Deliu, nga fshati Abri e Epërme e Drenasit).
Duke bërë një elaborim të procesit lidhur me themelimin e kësaj gjykate, në emër të GP të AAK-së deputeti Ramush Haradinaj tha se para një kohe ishte menduar që të gjendet një zgjidhje për raportin e Dick Martit, duke prezantuar krijimin e një dhome, e cila do të operonte me ligje të Kosovës. Sipas tij, ky është letërkëmbimi i presidentes së Kosovës, Jahjaga, me baroneshën Ashton.
Ai tha se Gjykata Speciale po krijohet vetëm për Kosovën e jo për Republikat tjera që kanë qenë të përfshira në luftën e ish-Jugosllavisë. Ai mori shembull Serbinë, që sipas tij, e ka një gjykatë, mirëpo nuk e ka asnjë gjyqtarë të huaj.
Duke prezantuar qëndrimin e AAK-së kundër themelimit të Gjykatës Speciale, Haradinaj tha se kjo që po i ofrohet Kosovës, është një monstrum ligjor, i cili, sipas tij, do të jetë i pranishëm në Kosovë më shumë se 10 vjet. Haradinaj përkujtoi UNMIK-n, Gjykatën e Hagës dhe EULEX-in që janë marrë me luftën e UÇK-së, pjesëtarë të të cilës kanë dalë të pastër në shumë procese të tilla gjyqësore.

Ndërsa, Valdete Bajrami (NISMA), tha se 16 vjet pas luftës së UÇK-së ky Kuvend gjendet para një sfide të rëndë historike, para themelimit të një gjykate e cila, shtoi ajo, do të jetë selektive dhe që paragjykon luftën tonë çlirimtare.
"Do të jemi kundër çdo instrumenti juridik që tenton të bëjë barazimin e luftës tonë me agresorin. Ne nuk duhet të lejojmë këtë, ngase do të na dënojë historia. Themelimi i Gjykatës Speciale e dëmton dhe e cenon sovranitetin e Kosovës dhe duhet të jemi kundër çdo instrumenti që e cenon sovranitetin e Kosovës. Nisma nuk do ta votojë këtë amendament dhe u bëjë thirrje edhe juve që mos t'a votoni", tha Bajrami.
Me këtë rast, foli edhe zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi. Ai, mes tjerash tha se për të pastruar luftën tonë dhe për të dëshmuar se nuk kemi asgjë për të fshehur duhet të themelojmë këtë institucion të pavarur dhe ndërkombëtar, për t'i dhënë fund akuzave të Dick Martyt. "Nevoja jonë është që të pastrohemi nga ky etiketim i panevojshëm dhe i padrejtë për luftën e pastër të UÇK-së dhe se askush nuk mund ta ndryshojë historinë e luftës së UÇK-së", tha Thaçi.


Në vijim, fjalën e mori kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili fillimisht falënderoi deputetët e Kuvendit për pjesëmarrjen në diskutime dhe korrektësinë e pjekurinë e treguar në seancën e sotme. Duke përmendur faktin se kjo çështje është një shqetësim i përbashkët, kryetari Veseli theksoi se asnjëri nuk është i shqetësuar për veten e tij, por është një shqetësim i përbashkët për të ardhmen dhe sovranitetin e shtetit, por edhe mos dhënien e përgjegjësisë nga ata që kanë kryer krime e që deri më sot ende nuk janë përgjigjur.
"Para 16 vjetësh janë bërë shumë masakra dhe askush nuk është përgjigjur. Njëkohësisht jemi duke u ballafaquar me situatën për të marrë një vendim për të shkuar drejt një procesi që dikush e quan një gjykim të historisë sonë. Po shihet se nuk mund të dalim nga kjo situatë, e as të dërgojmë mesazhe në mënyrë të bashkuar. Për 78 ditë SHBA-të dhe vendet e NATO-s e kanë sulmuar Serbinë për arsyet që sot këtu u theksuan nga deputetët, për vrasjet dhe masakrat e popullatës civile. Pas 16 vjetësh duhet të na vijë turp që ky Kuvend nuk ka nxjerrë asnjë rezolutë për krimet e bëra të Serbisë gjatë luftës në Kosovë", tha kryeparlamentari Veseli.
Më tej Veseli tha se sovraniteti i vendit tonë nuk do të mund të ndërtohej pa partneritetin me SHBA-të dhe BE-në.
"Gjykata speciale është një e keqe që na ka ndodhur. Po të ishim të aftë, nuk do të vinte deri te kjo gjykatë", tha kryetari Veseli, duke shtuar se përmes votimit të sotëm, pamundësohet që vendimi për këtë çështje të merret jashtë Kosovës.
Kryetari i Kuvendit Veseli po ashtu përmendi edhe faktin se ka qenë njëri nga themeluesit e UÇK-së dhe shtoi se nuk heq asnjë presje nga aktiviteti dhe lufta e tij kundër pushtuesit.
"Gjykatën Speciale nuk do ta ndalim këtu me mosvotim, përkundrazi do ta dëmtojmë vendin tonë. Andaj, për këtë arsye unë e votoj Gjykatën Speciale, në mënyrë që mos ta pësojë askush. Nuk i frikësohemi askujt në çdo ballafaqim. Votimi do të jetë i lirë, por dua që të kemi transparencë", tha kryeparlamentari Veseli.
Në vijim, deputetët paraqitën qëndrimet e tyre pro dhe kundër ndryshimeve kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, ndërkaq, deputeti Nait Hasani, paraqiti një mocion. Ai kërkoi nga shefat e grupeve parlamentare që të vendosin për mënyrën e votimit, duke propozuar me këtë rast që votimi për këtë çështje të bëhet në mënyrë të fshehtë. Megjithatë, ky mocion nuk mori mbështetjen e shumicës së votave të deputetëve.

Pas diskutimit të deputetëve në fjalën e tij përfundimtare zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ftoi sërish deputetët e Kuvendit që të votojnë pro kësaj gjykate. "Ju ftoj që të veproni dhe të votoni në përputhshmëri me interesat e shtetit tonë dhe të ardhmes së shtetit tonë dhe jo të ngarkuar nga politika elektorale. Nuk ka forcë që do të mund ta njolloste luftën e UÇK-së, mirëpo njëkohësisht nuk ka as forcë që do të mund të prishte orientimin e miqësisë me ndërkombëtarët", tha zv/kryeministri Thaçi.

Para fillimit të procesit të votimit, kryekuvendari Veseli, sqaroi para deputetëve se miratimi i këtij amendamenti kërkon 2/3 e votave të deputetëve, si dhe 2/3 e votave të deputetëve të komuniteteve tjera jo shumicë.
Me këtë rast, deputetët, me 75 vota për, 7 kundër dhe 2 apstenime nuk miratuan propozim-amendamentin nr. 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

 

Mbledhja plenare e KuvenditMbledhja plenare e KuvenditMbledhja plenare e KuvenditMbledhja plenare e Kuvendit