Lajmet e fundit

Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit

E Enjte, 25.06.2015




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti) filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërkaq në pyetjet e deputetëve u përgjigjën ministrat: Lutfi Zharku dhe Ferid Agani.


Kuvendi vazhdoi punimet me pikat e tjera të rendit të ditës.


Fillimisht, kryetari Veseli i njoftoi deputetët me kërkesën e zv/kryeministrit, njëherësh ministër i jashtëm, Hashim Thaçi, që, për shkak të udhëtimit të tij zyrtar, interpelanca lidhur me procesin e demarkacionit të kufirit në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, të mbahet pas orës 14:00. Kryetarja e GP të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, në cilësi të kërkuesit të kësaj interpelance, insistoi që interpelanca të zhvillohet menjëherë, konform rendit të ditës.


Duke e marrë fjalën, deputeti Ramush Haradinaj këtë çështje e konsideroi me ndjeshmëri dhe implikime të veçanta, ndërsa shtroi nevojën e marrjes së veprimeve konkrete që do të korrigjonin gabimet e së shkuarës. Në këtë kuptim, ai e vlerësoi të nevojshme negocimin e kësaj çështjeje edhe me NATO-n.


Nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, tha se ky problem tejkalon një grup parlamentar, ministër, qeveri apo mandat parlamentar, duke e konsideruar atë një problem madhor përtej kësaj interpelance. Ai tha se Kosova do të jetë e detyruar të shënojë kufijtë e saj me të gjithë fqinjët e saj.


Duke shtruar nevojën e unifikimit të qëndrimeve dhe veprime kundruall këtij problemi, kryetari i GP të PDK-së, Adem Grabovci, tha se kjo është çështje me interes të veçantë nacional. Grabovci tha se grupi parlamentar që ai përfaqëson ka shprehur përcaktimin e tij në mbështetje të vijës kufitare të vitit 1974 dhe se i ka dhënë mbështetje edhe interpelancës së thirrur për këtë temë. Në këtë funksion, ai theksoi rëndësinë që të pritet ardhja e ministrit të jashtëm, Thaçi.


Po në këtë linjë të diskutimit ishte edhe kryetari i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili vlerësoi se është i pakuptimtë zhvillimi i interpelancës pa prezencën e ministrit.


Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i njoftoi deputetët se javë më parë ka pritur në zyrën e tij një grup të qytetarëve nga komunat në kufi me Malin e Zi, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre, duke e shtruar çështjen e demarkacionit me këtë shtet fqinj si një problem real për banorët e kësaj zone.


Pas këtyre diskutimeve, u dakordua që interpelanca të mbahet pas orës 14:00.


Seanca vazhdoi me shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit të posaçëm për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Pas dy raundeve të votimit të fshehtë, asnjëri nga gjashtë kandidatët e propozuar nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për gjyqtar të kësaj gjykate. U bë e ditur se konkursi për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese do të përsëritet.

 

 

Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit