Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i pasdites i mbledhjes së Kuvendit

E Enjte, 25.06.2015




Në pjesën e pasdites të seancës së sotme, Kuvendi vazhdoi punimet me interpelancën e ministrit të jashtëm, Hashim Thaçi, lidhur me procesin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Duke e marrë fjalën sërish lidhur me këtë temë, deputeti Ramush Haradinaj, në cilësi të iniciuesit të interpelancës, tha se Kosova dhe Mali i Zi kanë pasur një kufi të njohur ndërmjet dy vendeve, që nga viti 1974, por, sipas tij, ka disa vjet që ka filluar një lojë me të dhe kufiri ka depërtuar disa kilometra në brendësi të Kosovës. Gabimi lidhur me këtë vijë kufitare, shtoi Haradinaj, mund të burojë nga Marrëveshja e Kumanovës, por ai shtroi domosdoshmërinë që të gjendet një mundësi që kufiri të kthehet në atë të vitit 1974. Ai tha se kjo është një temë që mund të shkaktojë probleme dhe shtroi nevojën e negociatave me NATO-n dhe autoritetet e Podgoricës zyrtare.

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij para deputetëve tha se në demarkacionin e kufirit me Malin e Zi Kosova nuk humb asnjë metër katror. Ai tha se ky proces është në dobi të Kosovës e të qytetarëve të saj, fqinjësisë së mirë, paqes dhe stabilitetit në rajon.

"Në kuadër të frymës së fqinjësisë së mirë, kemi nisur edhe procesin e demarkacionit të kufirit me shtetet fqinje. E kemi përfunduar me Shqipërinë dhe Maqedoninë, jemi duke e përmbyllur me Malin e Zi dhe po punojmë që këtë ta bëjmë edhe me Serbinë, që një herë e përgjithmonë t'i vihet pikë çështjes së kufijve në Ballkan", theksoi zv/kryeministri Thaçi.

Në vazhdim, ai bëri një përshkrim të hollësishëm të të gjithë procesit dhe të dokumentacionit të përdorur nga Komisioni shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror. Thaçi tha se komisioni është emëruar nga Qeveria me mandatin për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi në pajtim me marrëveshjen ndërkombëtare.

"Marrëveshja ndërkombëtare është pakoja e Ahtisarit 2007, Aneksi VIII, Sektori i Sigurisë në Kosovë, Neni 3, alineja 2. Pastaj, kufiri i KSAK 31 dhjetor 1988. Kjo vijë kufitare, sipas Pakos së Ahtisarit dhe në bazë të deklaratës mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974 dhe me të gjitha dokumentet tjera relevante", potencoi Thaçi, ndërsa bëri të ditur se komisioni ka organizuar dhe mbajtur mbi 20 takime të drejtpërdrejta në terren me qytetarët e zonës, takime me kryetarët e komunave kufitare dhe ka bërë edhe prezantim informues në Asamblenë komunale të Pejës.

Në vazhdim, zëvendëskryeministri i Kosovës tha se komisioni ka bërë trajtimin e secilës pikë veç e veç në vijën kufitare dhe e ka përshkuar në terren atë, duke zbatuar parimin e transparencës. Ai tha se ky komision ka pasur në konsideratë kujdesin maksimal ndaj pronave në zonën kufitare, duke kërkuar nga secili pretendues të bëjë kufizimin e pronës në terren sipas dokumentacionit që ka.

Thaçi tha se Komisioni Shtetëror nuk ka mandat për korrigjim të kufijve të vendosur gjatë historisë.

"Çdo deklaratë se ka shmangie nga kufiri i vitit 1974 është e paqëndrueshme dhe e pa-argumentueshme me dokumente përkatëse legale, politike e historike", theksoi Thaçi. Ai shtoi se asnjë kufi ku jetojnë shqiptarët, në histori, nuk është përcaktuar nga shqiptarët dhe tani është hera e parë që po ndodhë diçka e tillë.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi kërkoi që në rezolutën e propozuar, të futet edhe pika, nëpërmjet të cilës do të kërkohej që të bëhet demarkacioni i kufirit edhe me Serbinë, sipas Kushtetutës së vitit 1974.

Në emër të GP të PDK-së, fjalën e mori deputeti Enver Hoxhaj, i cili përcaktimin e vijës kufitare e konsideroi çështje shtetërore dhe politike, por edhe emocionale, e cila, sipas tij, ka nevojë për një trajtim shumë profesional. Ai tha se shënimi i kufirit nënkupton vendosjen në terren të vijës së kufirit që është në hartë dhe këtë, sipas tij, askush s'mund ta bëjë në mënyrë të njëanshme.

"Vija kufitare të cilën e ka përcaktuar komisioni është në përputhje me vijën kufitare të vitit 1974. Komisioni ka përdorur hartat kadastrale të vitit 1974, 1988 dhe 2015. Shënimi i kufirit bëhet në përputhje me Pakon e Ahtisarit, e cila është marrëveshje ndërkombëtare", theksoi Hoxhaj.

Deputetja Besa Gaxherri, duke prezantuar qëndrimin e GP të LDK-së, tha se më 1974 janë definuar kufijtë administrativë të komunave, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë çështja e demarkacionit me të gjithë fqinjët është dashur të jetë çështje formale dhe teknike. Ajo kërkoi që kufijtë të cilët ekzistojnë në hartë të ekzekutohen në terren. Në vitin 2002, sipas saj, Mali i Zi është futur në territorin e Kosovës, duke i shembur me eskavator varrezat shekullore.

"LDK-ja është e përkushtuar që të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e vet, por kërkon respekt dhe angazhim të njëjtë edhe nga ta. Për ne sovraniteti dhe territori janë të panegociueshme", theksoi Gaxherri.

Deputeti Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi bëri një përshkrim të qëndrimit të kësaj lëvizjeje gjatë viteve të shkuara kundruall kësaj çështjeje, tha se pretendimet e Malit të Zi ndaj territorit të Kosovës, përveç hapësirës tokësore si të tillë, në shënjestër kanë kullotat e larta malore që kanë rëndësi strategjike-ushtarake, si dhe burimet e ujit. Ai tha se tentativat për ndryshim të kufirit me Malin e Zi janë në kundërshtim edhe me Planin e Ahtisaarit.

"Kontestet me Malin e Zi janë te Kulla, në rrugën Pejë-Rozhajë, ku kufiri i Kosovës me Malin e Zi është zhvendosur 5 kilometra në thellësi të territorit të Kosovës. Në vitin 1974, kufiri ka qenë te vendi i quajtur ‘Varri i Nuses', 29 kilometra larg prej Pejës dhe 18 kilometra larg prej Rozhajës. Kufiri tash është 24 kilometra larg prej Pejës, te ura te Qafa e Shkallës mbi Jabllanicë, 100 metra prej së cilës është vendosur tabela ‘Mirësevini në Malin e Zi'", theksoi Kurti.

Valdete Bajrami nga GP Nisma, theksoi se territori shtetëror është njëri nga tri shtyllat kryesore të funksionimit si shtet i pavarur dhe sovran, prandaj, sipas saj, këtë çështje Qeveria e Kosovës s'mund ta kalojë aq lehtë.

"Kemi dëshiruar që kjo qeveri ta ndalë degradimin e shtetit. Por degradimi po vazhdon. Kjo qeveri në asnjë fushë nuk është duke i kryer obligimet kushtetuese. Nëse kjo qeveri bën dëm kaq të madh për vendin, nuk presim që të bëjë punë të mirë as në shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi", theksoi deputetja Bajrami.

Duke e marrë fjalën në seancë, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, theksoi nevojën e një analize të hollësishme të gjendjes dhe identifikimit të mundësive për ta sanuar këtë situatë.

Ai foli për dëmet që u shkaktohen banorëve të kësaj zone nga privimi për të shfrytëzuar kullosat dhe burimet e ujit për bagëtitë e tyre, si një burim jete për shumë banorë të saj. Ai theksoi rëndësinë e një marrëveshjeje miqësore me Malin e Zi, nëpërmjet të cilën kufijtë do të ktheheshin aty ku kanë qenë.

Edhe nënkryetari Sabri Hamiti u ndal të rendësia e bisedimeve, duke parë interesat e përbashkëta, por gjithëherë, sipas tij, në status të barabartë.
"Ne sot po bisedojmë për kufi shtetëror dhe kjo është ditë e lumtur e Kosovës", theksoi nënkryetari Hamiti.

Pas diskutimeve edhe nga deputetë të tjerë të Kuvendit, kryetarja e GP të AAK-së, Donika Kadaj - Bujupi, lexoi propozim-rezolutën për përgjegjësitë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës lidhur me vendosjen e demarkacionin e kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Me 72 vota për dhe nëntë kundër, Kuvendi miratoi rezolutën e propozuar, me një plotësim të zëvendëskryeministrit Thaçi dhe një riformulim të nënkryetarit Sabri Hamiti.

Në,vazhdimin e seancës së sotme deputetët kanë miratuar propozimin e kryetarit të GP të PDK-së, Adem Grabovci,për shtyrjen e pikës së rendit të ditës: Zgjedhja e Avokatit të Popullit, për ditën e nesërme, për shkak se ajo do të marrë shumë kohë për tu përfunduar. Këtë e kamë kundërshtuar tri grupet opozitare.

Seanca ka vazhduar me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patenta, të cilin e ka prezantuar para deputetëve ministrja e tregtisë dhe industrisë, Hikmete Bajrami.

Projektligjit i ka dhënë mbështetje kryetari i Komisionit për Zhvillim ekonomik, Muhamet Mstafa, i cili ka folur edhe në emër të GP të LDK-së, siç e ka mbështetur edhe kryetari i GP të PDK-së, Hajdar Beqaj.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri është përqendruar në shkeljen që ka bërë ministra e në mandatin e kaluar duke e shndërruar Zyrën për pronësi industriale në Agjenci.

Pal Lekaj (në emër të AAK-së), fjalën e ministres e ka quajtur mjegull, për të arsyetuar shkeljet e ish-ministres Kusari , prandaj ka thënë ai se nuk do ta votojë GP i AAK-së.

Edhe Enver Hoti ( NISMA) ka deklaruar se nuk do ta votojë projektligjin për patentat. Qerim Bajrami (GP 6+) e ka përkrahur projektligjin.

Deputetët që kanë marrë pjesë në diskutim, në të shumtën e rasteve,kanë mbajtur qëndrim se më mirë është që me patentat të merret Agjencia.

Ministri i Administratës publike, Mahir Yagcilar, ndërkaq, ka theksuar se nëse përcaktohemi për Agjenci, atëherë çështja duhet të rregullohet me ligj të veçantë.

Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për markat tregtare ((shqyrtimi i parë) e ka prezantuar po ministrja Bajrami.

Kryetari i komisionit funksional, Muhamet Mustafa, i ka dhënë mbështetje, siç e ka mbështetur edhe në emër të GP të LDK-së. Projektligjin e ka mbështetur edhe Hajdar Beqaj ( PDK), Visar Ymeri (VV), ndërkaq ka pasur shumë vërejtje, siç ka pasur edhe Pal Lekaj (AAK). Shukria Bajrami (NISMA), nuk e përkrahur,ndërsa Qerim Bajrami ( 6+) deklaron e se e përkrah projektligjin.

Për mungesë kuorumi të deputetëve , të dy projektligjet ka mbetur të votohen nesër.

 

 

 

Nga vazhdimi i pasdites i mbledhjes së KuvenditNga vazhdimi i pasdites i mbledhjes së KuvenditNga vazhdimi i pasdites i mbledhjes së KuvenditNga vazhdimi i pasdites i mbledhjes së Kuvendit