Lajmet e fundit
Nga vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit
E Enjte, 25.06.2015
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryekuvendari Kadri Veseli, Kuvendi ka vijuar punimet me votimin e projektligjeve dhe raporteve, për të cilat diskutimet kanë përfunduar në mbledhjen e datës 18 qershor.
Me këtë rast, Kuvendi procedoi për votim dhe miratoi në parim dy Projektligje, përkatësisht atë për Procedurën e Përgjithshme Administrative, si dhe për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Gjithashtu u votuan edhe pesë raporte. Përkrahjen e deputetëve e mori raporti e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit, për vitin 2014, Raporti i Agjencisë Kosovare për Prona, për vitin 2014, Raporti i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2014, ndërkaq, Raporti i Radiotelevizionit të Kosovës, për vitin 2014, nuk u miratua.
Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe rekomandimet e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me kontestet biznesore dhe adresimi i tyre në gjykata.