Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Marte, 23.06.2015




Shqyrtimi i Raportit të punës së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2014, ishte pikë e parë e rendit të ditës së Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit. Para Komisionit Raportin e paraqiti , guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, i cili foli lidhur me ecuritë kryesore ekonomike gjatë vitit 2014 në sektorin fiskal, financiar, si dhe aktivitetet e BQK-së drejt nxitjes dhe ruajtjes së qëndrueshmërisë së sektorit financiar përmes funksionit të saj rregullativ dhe mbikëqyrës. Angazhim i veçantë i Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në vitin 2014, ka qenë avancimi i sektorit rregullativ, duke aprovuar 11 rregullore të reja, në fushën e rregullimit të sektorit financiar, atë të pagesave dhe të bankingut qendror. E gjithë kjo ka rezultuar në rritje të përformancës së institucioneve financiare duke rritur cilësinë e menaxhimit të gjithmbarshëm.


Bordi i BQK-së ka pasuruar edhe më tej kornizën e përgjithshme qeverisëse, duke e mbështetur atë me një buxhet të përshtatshëm. Sektori financiar i Kosovës, në vitin 2014, ka reflektuar rritje dhe qëndrueshmëri. Gjithsej asetet arritën në nivel prej 4.54 miliardë euro, apo rritje vjetore prej 7.4. për qind. Norma mesatare e interesit gjatë muajit dhjetor 2014 ishte 9.2 për qind, ndërsa mesatarja einteresit në depozita ishte 1.1 për qind. Ekonomia e Kosovës, theksoi në vijim Bedri Hamza,shënoi rritje prej 2, 7 për qind në krahasim me një vit më parë. Duke folur lidhur me raportin eksport-import, ai tha se edhe më tutje importi është më i lartë se eksporti, ndaj edhe shtrohet si domosdoshmëri ngritja e eksportit. Ai ishte optimist se ekonomia e Kosovës do të shtojë ritmin në vazhdimësi, madje në vitin 2016 ai parashikonte se zhvillimi ekonomik në Kosovë do të ketë një rritje prej 3,6 për qind. Mirëpo, brengë në zhvillimin ekonomik mbetet edhe më tutje bilanci tregtar negativ, ndaj edhe më tutje remitenca, që është rrjedhojë e kontributit tw punëtorëve tanë nga bota e jashtme, është burim kryesor i të ardhurave në vend. Kryetari i komisionit, Naser Osmani, u angazhua për një politike më të mirë investive, si dhe për nevojën e krijimit të një baze më të mirë ligjore në këtë fushë. Rënien e investimeve e theksuan edhe anëtarët e Komisionit. Ndërkaq,fakti që në Kosovë po bie importi i produkteve bujqësore u përmend si një ecuri shumë pozitive. Në përfundim të debatit, Komisioni përkrahu Raportin e BQK-ës për vitin 2014 dhe e procedoi tutje në Kuvend.


Në vijim Komisioni shqyrtoi në parim i Projektligjin për Faljen e Borxheve Publike. Qëllim i këtij Projektligji është falja e borxheve publike ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, si dhe përcaktimi i kritereve dhe procedurave për faljen e këtyre borxheve, që personat fizik dhe juridik kanë për periudhën deri më 31 dhjetor 2008. Borxhlinjtë duhet të ndjekin procedurat,ndërsa kanë për obligim që të paguajnë obligimet nga viti 2009 deri më 31 dhjetor 2014. Nga borxhi i përgjithshëm prej 680 milionë euro, 465 milionë janë borxhe ndaj ndërmarrjeve publike. Anëtarët e Komisionit përkrahën Projektligjin dhe njëherësh e proceduan tutje në Kuvend.


Komisioni pastaj kishte në rendin e ditës shqyrtimin e Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2014, të cilin para anëtarëve të Komisionit e paraqiti Ymer Havolli, kryetar i Bordit të Fondit. Ai tha se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, tashmë menaxhon me 1,2 miliard euro, ndërkaq në vijim duke paraqitur parametrat tjerë,theksoi se Fondin e karakterizon një performancë e mirë në rrjedhën e tregjeve ndërkombëtare. Në këtë vështrim ai përmendi faktin se çmimi i aksioneve është rritur 6,3 për qind. Anëtarët e Komisonit e vlerësuan Raportin si të mirë dhe gjithëpërfshirës, ndaj edhe e përkrahën dhe e proceduan më tej në Kuvend.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa