Lajmet e fundit
Vlerësohet përkrahja gjermane për Kosovën
E Marte, 23.06.2015
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, i kryesuar nga Daut Haradinaj, kryetar, priti në takim z. Hans-Peter Bartels, Komisionar Parlamentar për Forcat e Armatosura nga Parlamenti i Gjermanisë, me bashkëpunëtorët e tij. Qëllimi i takimit ishte njoftimi i Komisionarit parlamentar gjerman për punën e Komisionit parlamentar të Kuvendit të Kosovës dhe për ushtrimin e mbikëqyrjes parlamentare ndaj këtij sektori.
Kryetari i Komisionit, Haradinaj dhe anëtarët tjerë, pasi e njoftuan z. Bartels lidhur me punën e Komisionit, vlerësuan lart përkrahjen shumë dimensionale të shtetit gjerman rreth konsolidimit të shtetit të Kosovës, e me këtë rast përkrahjen për FSK-në. Sa i përket zhvillimit të FSK-së, u tha se po pritet vendimi për transformim në Forcat e Armatosura dhe në kuadër të ndryshimeve kushtetuese është paraparë edhe themelimi i institucionit të Komisionarit për Forcat e Armatosura dhe Policinë.
"Komisioni ka të draftuar edhe Projektligjin i cili do te procedohet menjëherë posa të miratohen ndryshimet kushtetuese", bënë të ditur anëtarët e komisionit.
Nga ana e tij, z. Hans-Peter Bartels, theksoi se shteti gjerman do të jete mbështetës i zhvillimeve në Kosovë, përfshirë edhe vijimin e qëndrimit të pjesëtareve të ushtrisë gjermane në Kosovë.
Gjatë takimit u diskutua edhe për aspektet e ndryshme të bashkëpunimit dhe sigurisë në aspektin rajonal dhe bashkëpunimin mes shteteve në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.