Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 18.06.2015




Mbledhja e sotme të Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti, filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës. Me këtë rast deputetët ngritën çështje të ndryshme nga jeta shoqërore, ekonomike e politike. Ndërkaq, pyetjet e deputetëve, në mungesë të ministrave përkatës, nuk u shtruan në seancë. Në rendin e ditës së mbledhjes së sotme ishte edhe Interpelanca e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, lidhur me procesin e demarkacionit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Mirëpo, me kërkesë të deputetes Donika Kadaj-Bujupi, për shtyrjen e kësaj pike, të cilën Kuvendi e miratoi, kjo pikë u hoq nga rendi i ditës.


Po kështu, nga rendi i ditës u hoqën edhe dy pika të tjera të rendit të ditës, përkatësisht shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patenta dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për markat tregtare.


Mbledhja vijoi punimet me shqyrtimin e parë të projektligjeve, si: Projektligjin për procedurën e përgjithshme administrative dhe Projektligjin për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ndërkaq, në vijim Kuvendi shqyrtoi Raportin e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, si dhe katër raporte të institucioneve ta pavarura për vitin 2014, përkatësisht Raportin e Radiotelevizionit të Kosovës, Raportin e Institucionit të Avokatit të Popullit,Raportin e Agjencisë Kosovare për Prona , Raportin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, si dhe Rekomandimet e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri lidhur me kontestet biznesore dhe adresimi i tyre në gjykata.


Pas përfundimit të debatit, në mungesë të kuorumit, votimi i këtyre pikave të rendit të ditës do të bëhet në seancën e ardhshme.

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit