Lajmet e fundit
Nga seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës
E Enjte, 18.06.2015
Seanca e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e planifikuar të fillojë sot në orën 10:00, sipas rendit të ditës të propozuar nga Kryesia e Kuvendit, është ndërprerë që në fillim, duke i hapur rrugës mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të AAK-së dhe miratimit të saj nga shumica e deputetëve të Kuvendit, lidhur me ndalimin e deputetit të Kuvendit, njëherësh kryetar i kësaj partie, Ramush Haradinaj.
Paraprakisht, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ndalimin e Haradinajt në Slloveni, me fletarrest të Serbisë, e konsideroi ngjarje jo të mirë dhe të papranueshme.
"Ne jemi jashtëzakonisht të interesuar të vazhdojmë të kemi raporte të mira me Slloveninë, megjithatë, rasti që ka ndodhur është i papranueshëm, i cili ka krijuar shqetësime", theksoi kryetari Veseli.
Duke e arsyetuar thirrjen e kësaj seance të jashtëzakonshme, kryetarja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, tha se ndalimi me fletarrest të Serbisë i z. Haradinaj dhe sjellja e policisë sllovene ndaj tij, është irrituese, e papranueshme dhe fyese për Kosovën. Ajo tha se shteti slloven, me sjelljen dhe veprimin e tij ndaj Haradinajt, bëri përjashtim nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian dhe u soll njëjtë si regjimet e së kaluarës në Beograd, në raport me Kosovën dhe në raport me Haradinajn.
Ajo e konsideroi të nevojshme që Sllovenia të reflektojë dhe të lejojë sa më parë udhëtimin e Haradinajt drejt Kosovës, si dhe heqjen dorë nga këto praktika, duke pastruar sa më shpejtë listat e fletarrestimeve, siç tha ajo, nga reliktet, shpifjet dhe mbeturinat e së kaluarës.
"Kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po aq sa është i Kosovës, është edhe i bindjeve dhe vizionit për një Evropë të lirë dhe të qytetëruar", tha kryetarja e GP të AAK-së, duke kërkuar nga deputetët përkrahje për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, nga e cila do të dilte rezoluta që do të obligonte institucionet përkatëse të ndërmarrin hapat e nevojshëm, në mënyrë që këto veprime të mos përsëriten dhe këto praktika të ndalen.
Kërkesa e Grupit Parlamentar të AAK-së mori përkrahjen e të gjitha grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i GP të PDK-së, Adem Grabovci, ndau shqetësimin e grupit që ai përfaqëson me të gjithë qytetarët e Kosovës, duke kërkuar që praktikat e arrestimeve mbi bazën e fletëndejkjeve të së kaluarës, siç ka ndodhur me Haradinajn, të ndërpriten. Ai e konsideroi befasues dhe shqetësues faktin se bëhet fjalë për një shtet mik të Kosovës dhe anëtar të BE-së, siç është Sllovenia, me të cilin Kosova kultivon raporte të mira.
Duke e konsideruar këtë një provokim për shtetin e Kosovës, në emër të PDK-së Grabovci kërkoi angazhim serioz nga të gjitha institucionet e Kosovës që këto praktika të ndërpriten njëherë e përgjithmonë dhe listat në të cilat figurojnë mbi 300 qytetarë të Kosovës me akuza të pabaza dhe pavërteta, të pastrohen.
Edhe Ismet Beqiri nga GP i LDK-së ndalimin në Lubjanë të deputetit Haradinaj e konsideroi veprim të papranueshëm dhe të padrejtë, i cili i dëmton raportet e Kosovës me një shtet, për të cilin vlerësohet se ka qenë korrekt në raport me Kosovën në momentet më të rënda të saj. Duke kërkuar që deputetit Haradinaj t'i mundësohet kthimi i menjëhershëm në Kosovë, Beqiri shtroi domosdoshmërinë që autoritetet e vendit të marrin masat e nevojshme që kjo situatë të zgjidhet dhe raste të tilla të mos ndodhin në të ardhmen.
Në emër të GP të Vetëvendosjes, kryetari i tij, Glauk Konjufca, duke e cilësuar ndalimin e Haradinajt akt të papranueshëm, tha se kjo nuk ka të bëjë vetëm me Haradinajn, por me vet shtetin e Kosovës dhe se në këtë rast, sipas tij, nuk mund ta amnistohet as Qeveria e Kosovës. Ai tha se Sllovenia është vetëm pasoja, sepse problemi i vërtetë pse po ndodhë kjo, sipas tij, është shteti i Serbisë. Konjufca kërkoi që t'i qitet kusht Serbisë që t'i anulojë këto fletarrestime, si hap i parë në drejtim të reciprocitetit me të.
Në vazhdim të diskutimeve, deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, theksoi ky ndalim i padrejtë është një tallje e Sllovenisë me shtetin e Kosovës. Ai tha se nga institucioni përfaqësues i qytetarëve të Kosovës duhet ftuar Republika e Sllovenisë që pa asnjë kusht të lirojë Ramush Haradinajn dhe që lista me fletarrestime të pastrohet.
Po në këtë frymë, në emër të GP Nisma për Kosovën, deputeti Zafir Berisha tha se ndalesa e z. Haradinaj është kulminacioni i politikës agresive të Serbisë dhe konsideroi se është momenti kur deputetëve dhe pasaportës diplomatike duhet t'u kthehet imuniteti. Ai kërkoi nxjerrjen e rezolutës që do ta obligonte Qeverinë e Kosovës që të trajtonte në mënyrën e duhur rastet e tilla.
Duke u ndjerë e tronditur me rastin, deputetja Duda Balje nga Grupi 6 Plus, shfaqi shpresën se Qeveria e Sllovenisë shpejt do ta kuptojë gabimin që ka bërë dhe ta lirojë z. Haradinaj, për të mos u përsëritur arrestime të tilla më asnjëherë.
Po ashtu edhe nënkryetari i Kuvendit, Sllobodan Petroviq, në emër të GP të Listës serbe ndau shqetësimin i cili, siç tha ai, u bë shkak i thirrjes së kësaj seance të jashtëzakonshme, si dhe shprehu brengosjen për një akt të tillë. Ai tha se është për një zgjidhje e cila do të reflektonte paqe tek qytetarët dhe assesi të krijojë pakënaqësi edhe më të mëdha tek ta.
Pas diskutimeve të përfaqësuesve të grupeve parlamentare, kërkuesja e seancës, Donika Kadaj-Bujupi paraqiti para deputetëve propozim-rezolutën, nëpërmjet të cilës kërkohej marrja e veprimeve konkrete për zgjidhjen e rastit.
Duke e marrë fjalën në seancë, zv/kryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i jashtëm, Hashim Thaçi, tha se është përcjellë me shqetësim ndalimi i deputetit Haradinaj në Lubjanë të Sllovenisë dhe menjëherë pas rastit të gjitha autoritetet e shtetit të Kosovës kanë vënë kontakte me autoritetet më të larta të Sllovenisë, të BE-së dhe me partnerët e tjerë, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet shpejt dhe drejt.
"Të gjithë jemi dëshmitarë të një liste me emra të kohës së Sllobodan Milosheviqit, të përtërirë në vitin 2004. Ajo që ka ndodhur me z. Haradinaj ka ndodhur edhe me zyrtarë të tjerë të lartë po në atë vend dhe në vende të tjera. Ky fenomen është shqetësues. Jemi angazhuar maksimalisht që kjo çështje të zgjidhet njëherë e përgjithmonë", theksoi zv/kryeministri Thaçi, duke shtuar se po punohet maksimalisht që të Kosova të anëtarësohet sa më shpejtë në Interpol.
Thaçi tha se Sllovenia, edhe me këtë ndalesë dhe me ndalesat e tjera, nuk ka vepruar kundër dikujt personalisht apo kundër Kosovës dhe se ky incident i pajustufikueshëm dhe i papranueshëm, nuk duhet të ndikojë në raportet e shkëlqyeshme midis dy shteteve.
Duke marrë fjalën, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tërhoqi vëmendjen përkitazi me pikën e tretë të rezolutës së propozuar, e cila obligonte institucionet e Kosovës për adresimin e një note proteste ndaj shtetit slloven, duke vlerësuar se listat me fletarrestime nga Serbia vijnë nga Interpoli dhe gjenden në pika kufitare e kontrolli edhe të vendeve të tjera.
"Burimi i problemit është Serbia, e cila për shumicën nga ne ka ngritur aktakuza të paqena. Unë nuk jam për atë që konfliktin ta bartim te një vend mik dha ta largojmë nga burimi, i cili është Republika e Serbisë", theksoi kryetari Veseli.
Po në këtë frymë, diskutuan edhe kryeministri Isa Mustafa e zv/kryeministri Hashim Thaçi, duke shtruar nevojën e ruajtjes së marrëdhënieve të mira me vendet mike.
Kryeministri Mustafa tha se ka vënë kontakte me kryeministrin slloven dhe është biseduar lidhur me këtë çështje, i cili, sipas tij, ka shpjeguar situatën dhe ka rrëfyer përpjekjet që kjo çështje të zgjidhet. Mustafa tha se është biseduar edhe lidhur me pastrimin e listave. Ai tha se nuk sheh arsye që të bëhet note proteste ndaj Sllovenisë, pasi që, sipas tij, problemet e kësaj natyre zgjidhen me marrëveshje ndërkombëtare në Bruksel.
Sidoqoftë, me 65 për dhe 8 abstenime, deputetët miratuan rezolutën e propozuar nga GP i AAK-së dhe të mbështetur nga të gjitha grupet e tjera parlamentare, me këtë përmbajtje:
R E Z O L U T Ë
1. Qeveria dhe Presidentja e Kosovës urgjentisht të kërkojnë nga autoritetet sllovene, që ish-kryeministrit të Qeverisë së Kosovës dhe Kryetarit të AAK-së, tani deputetit të Kuvendit të Kosovës z. Ramush Haradinaj, pa asnjë kusht dhe menjëherë t'i kthehet pasaporta diplomatike dhe t'i lejohet kthimi në Kosovë;
2. Qeveria e Kosovës të kërkojë urgjentisht nga Brukseli pastrimin e menjëhershëm të listave, respektivisht të fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia për ish-ushtarët e UÇK-së;
3. Drejtimin i notës së protestës shtetit slloven nga institucionet e Kosovës