Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Mërkure, 17.06.2015




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP), i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga Ali Sadriu zv.kryetar i parë i Komisionit, ka shqyrtuar Raportin vjetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës për funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës për vitin 2014. Në këtë takim merrte pjesë edhe ministri i Financave, Avdulla Hoti.

Raporti u prezantua nga stafi i Njësisë Qendrore Harmonizuese , në përfundim të të cilit u zhvillua diskutim konstruktiv ndërmjet ministrit të Financave, z. Hoti, dhe anëtarëve të KMFP-së. U arrit pajtimi që të dilet me rekomandime konkrete, të cilat do t'i implementojnë së bashku Ministria e Financave dhe Njësia Qendrore Harmonizuese, sipas një plani të veprimit, që do ta përgatisin ato dhe do t'ia prezantojnë KMFP-së.

Rekomandimet e dala nga ana e KMFP nga ky takim kanë për qëllim ngritjen e përgjegjësisë tek institucionet në shpenzimin e parasë publike, duke forcuar funksionin e auditimit të brendshëm në Kosovë dhe rritjen e llogaridhënies së menaxhmentit. Këto rekomandime pritet të aprovohen në takimin e radhës së këtij komisioni.

Në fillim të takimit të sotëm, ndërkaq, anëtarët e Komisionit edhe një herë u janë kthyer rekomandimeve të dala nga takimi i fundit, e të cilat kishin të bënin me përgatitjen e procedurave për përzgjedhjen e auditorëve për auditimin e partive politike, si dhe me përgatitjen e procedurave për themelimin e një njësie të re të auditimit të brendshëm në Kuvend, e cila do të auditojë agjencitë e pavarura, të cilat raportojnë në Kuvend.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike