Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Mërkure, 17.06.2015
Shqyrtimi i Raportit të Qeverisë për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, për vitin 2014, ishte temë thelbësore e mbledhjes së sotme të Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit. Në mbledhje mori pjesë edhe ministri i Ministrisë së Administratës Publikë, Mahir Jagxhillar.
Duke prezantuar para Komisionit Raportin, z. Jagxhillar theksoi se është e nevojshme të punohet së bashku për një administratë sa më efikase dhe transparente. Reforma në administratë , tha ai, ka filluar qysh me strategjinë e vitit 2007, e cila ka përfshirë Pakon e ligjeve të shërbimit civil, ndërsa janë hartuar edhe aktet nënligjore. Kjo edhe ka mundësuar reformën e shërbimit civil. Raportet përkatëse sipas viteve kanë filluar të paraqiten në Kuvend qysh nga viti 2007. Raporti përfshin gjendjen faktike, si:procedurat për zgjedhjen e zyrtarëve të lartë, unifikimin e titujve etj. Në vijim ministri tha se 95 për qind e pozitave janë plotësuar, ndërkaq parashihet ndryshimi i Ligjit për shërbimin civil dhe ai për pagat e nëpunësve civil.
Përkitazi me Raportin u zhvillua një debat i gjerë. Vëmendja e anëtarëve të Komisionit u përqendrua sidomos në faktin se Raportit i mungon një analizë më e gjerë, për të parë se çfarë është bërë, cilat ishin sfidat kryesore në administratën publike dhe cilat janë rezultatet. U zu në gojë sidomos çështja e trajnimeve, duke shtruar pyetjen se a është bërë matja e rritjes së performancës së vijuesve , si fryt i ndjekjes së trajnimeve. Gjatë debatit u vlerësua qasja bashkëpunuese e ministrit, si dhe përkushtimi i Ministrisë për avancimin e gjendjes në shërbimin civil, mirëpo u tha se Raporti do të dilte më i mirë, sikur të ishte edhe më shpjegues. Është dashur të flitet edhe për faktin se a kemi pak, apo shumë shërbyes civil.
Në përmbyllje të debatit, Zenun Pajaziti theksoi se Raporti është dashur të ketë më shumë informacione, ndaj edhe kërkoi që në mbështetje të çështjeve të shtruara në diskutime , Ministria t' ia dërgojë Komisionit një informatë shtesë, në funksion të një debati sa më përmbajtjesor në Kuvend.
Komisioni përkrahu dhe e procedoi tutje në Kuvend Raportin e Qeverisë së Kosovës për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, për vitin 2014.