Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Hënë, 15.06.2015




Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare këtë të enjte, më 18 qershor, në orën 10:00, në të cilën pritet të mbahet një interpelancë, si dhe të shqyrtohen një varg projektligjesh e raportesh.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, pritet të mbahet interpelanca e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me procesin e demarkacionit të kufirit në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, ndërsa më pas do të shqyrtohen në parim disa projektligje. Kështu, për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Projektligji për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patenta dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për markat tregtare.

Në vazhdim të kësaj seance, do të shqyrtohet raporti i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, si dhe raportet për vitin 2014 të katër institucioneve të pavarura: raporti i Institucionit të Avokatit të Popullit, raporti i Radiotelevizionit të Kosovës, raporti i Agjencisë Kosovare për Prona, si dhe ai i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Pikë e rendit të ditës në këtë seancë do të jetë edhe shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me kontestet biznesore dhe adresimi i tyre në gjykata.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia vendosi që Projektligjin për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, ta procedojë për mendim në qeveri.

Në vazhdim, Kryesia, miratoi dy rekomandime të Komisionit për Buxhet dhe Financa: rekomandimin për kërkesat e Kuvendit të Kosovës për rishikimin e buxhetit për vitin 2015 dhe rekomandimin për kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës në bazë të Qarkores së parë buxhetore të Ministrisë së Financave 2016/01.

Pas sqarimeve nga ana e sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Ismet Krasniqi lidhur me këto rekomandime, Kryesia e procedoi ato në Ministrinë e Financave.

 

 Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit