Lajmet e fundit

Kryetari Veseli mbajti fjalë rasti në "Samitin e Kosovës mbi të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut 2015"

E Hënë, 15.06.2015




Sot, në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit të Kosovës, ka filluar punimet "Samiti i Kosovës mbi të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut 2015", organizuar nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe Instituti për Diplomaci Kulturore (ICD) nga Berlini, si dhe mbështetur nga UNDP-ja.


Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë samit, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, bëri një elaborim të evoluimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare, si dhe kodifikimit të tyre në periudhën e pasluftës së dytë botërore.
Kreu i Kuvendit vlerësoi se menjëherë pas përfundimit të kësaj lufte, e cila la pas vetes afër 60 milion viktima, u shtrua nevoja urgjente për të krijuar një rend të ri ndërkombëtar, të bazuar, jo mbi forcën brutale por mbi të drejtën ndërkombëtare, e cila do të bënte të mundur tragjedi të tilla të mos përsëriteshin asnjëherë më. Në këtë frymë, tha më tej kryetari Veseli, u krijua OKB-ja, e cila solli një varg dokumentesh të rëndësishme, në mesin e të cilave është edhe Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut.


Në vazhdim të fjalës së tij, kreu i legjislativit theksoi se sot të drejtat e njeriut përbëjnë instrumentin më të rëndësishëm në botë për të frenuar ambiciet joligjore, arrogancën, abuzimet dhe arbitraritetin e pushtetit politik, në nivel global.


Të drejtat e njeriut, shtoi kryetari i Kuvendit, janë bërë kodi moral i shoqërive bashkëkohore demokratike. Që ky kod të funksionojë është i nevojshëm një kusht i domosdoshëm.


"Ky kusht është demokracia. Prandaj, lufta për demokracinë, është njëkohësisht lufta për ta bërë botën më paqësore dhe më humane. Ne në Kosovë, i njohim mirë sfidat e raportit në mes të drejtës ndërkombëtare në njërën anë dhe demokracisë e të drejtave të njeriut në anën tjetër", theksoi kryetari Veseli, ndërsa shtoi se 16 vite më parë, populli i Kosovës u gjet i përfshirë në një situatë shumë të rëndë, si pasojë e këtyre sfidave. Në njërën anë, shtoi z. Veseli, aspirata e popullit të Kosovës për liri dhe çlirim nga një regjim represiv ishte në rrezik të binte viktimë e parimit të së drejtës ndërkombëtare që njeh sovranitetin klasik të shtetit, e në anën tjetër, ishte mundësia që kjo aspiratë të mbështetej në kodin e të drejtave natyrore të njeriut.


"Derisa Millosheviqi e mbështeste terrorin e tij duke u bazuar në modelin rigid të sovranitetit të shtetit, Perëndimi e bëri të qartë se të drejtat natyrore të njeriut për jetë të pacenuar dhe liri, janë mbi të drejtat e shtetit. Shqiptarët e Kosovës para se të ishin shtetas të këtij apo atij shteti, ishin qenie njerëzore me të drejta natyrore të patjetërsueshme nga askush", tha në vazhdim të fjalës së tij kryetari i Kuvendit të Kosovës. Në këtë rrafsh, vlerësoi kryeparlamentari Veseli, intervenimi i NATO-s në luftën e Kosovës, ishte një zgjidhje ushtarake e konfliktit të vjetër filozofik në mes të së drejtës natyrore dhe pozitivizmit juridik, në favor të së drejtës natyrore të njeriut.


"Pa filozofinë juridike liberale të civilizimit perëndimor kjo nuk do të ishte e mundur. Prandaj ne sot kemi obligim moral, njerëzor, politik dhe historik që të punojmë në vizionin që del nga kjo filozofi. Ky është vizioni i paqes demokratike ndërkombëtare", tha kryetari Veseli.

 

 

Kryetari Veseli mbajti fjalë rasti në Kryetari Veseli mbajti fjalë rasti në Kryetari Veseli mbajti fjalë rasti në Kryetari Veseli mbajti fjalë rasti në