Lajmet e fundit

Kryetari Veseli takoi kryetarët e komisioneve parlamentare

E Enjte, 11.06.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot një takim me kryetarët e komisioneve parlamentare, në të cilin u diskutua lidhur me realizimin e planit të punës së Kuvendit për sesionin pranveror.


Pasi u fol për ecurinë e deritashme të shqyrtimit dhe procedimit të projektligjeve nga ana e komisioneve parlamentare, kryetari Veseli kërkoi nga drejtuesit e komisioneve angazhim më të madh të tyre dhe dinamizim të punës në shqyrtimin e projektligjeve, në mënyrë që brenda sesionit pranveror, Kuvendi të arrijë objektivat e veta konform agjendës legjislative.


Kryetarët e komisioneve e njoftuan kryetarin Veseli me punën e deritashme të trupave parlamentarë që ata drejtojnë dhe njëherësh theksuan sfidat e problemet me të cilat përballen gjatë punës së tyre.


Takimi u përmbyll me nxjerrjen e një deklarate të përbashkët, nëpërmjet të cilës i kërkohet qeverisë procedimi sa më i shpejtë dhe konform strategjisë legjislative i projektligjeve, por njëkohësisht, potencohet edhe rëndësia e rritjes së iniciativave ligjore nga vet Kuvendi. U theksua, gjithashtu, që brenda këtij sesioni të procedohen për shqyrtim Ligji për Kuvendin dhe Rregullorja e re e Punës.


Në deklaratë u evidentuan edhe shqetësime të tjera, të ngritura nga kryetarët të komisioneve, përkitazi me nevojën akute të plotësimit të bordeve të institucioneve të pavarura, rritjes së mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve, procedimit sa më të shpejtë të disa ligjeve të rëndësisë së veçantë, nevoja e zgjedhjes së ma të shpejtë të Avokatit të Popullit dhe të Auditorit Gjeneral, si dhe e rritjes së prezencës së anëtarëve të qeverisë nëpër mbledhje të komisioneve parlamentare etj.

 

 

 Kryetari Veseli takoi kryetarët e komisioneve parlamentare Kryetari Veseli takoi kryetarët e komisioneve parlamentare