Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini dhe Sport
E Mërkure, 10.06.2015
Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit, organizoi sot një dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Provimin e Maturës Shtetërore. Në këtë dëgjim merrnin pjesë drejtorë të drejtorateve komunale të Rajonit të Prishtinës,disa drejtorë të shkollave dhe përfaqësues të OJQ-ve. Duke hapur debatin, Nait Hasani theksoi se ky Projektligj, i cili tashmë është përkrahur në parim nga ana e Kuvendit të Kosovës, është i një rëndësie të veçantë, ndaj është i nevojshëm një koncenzus në nivel vendi për plotësimin dhe amendamentimin sa më të mirë të tij.
Diskutuesit në mënyrë të gjerë shqyrtuan përmbajtjen e Projektligjit, posaçërisht nenin 16, paragrafi 3,që ka të bëjë me heqjen e pragut të kalueshmërisë të Ligjit në fuqi, i cili propozohet të zëvendësohet me nivelin e arritshmërisë. Në vijim ata vunë në spikamë disa parregullsi gjatë procesit të testimit të kandidatëve, sidomos në menaxhimin e administrimin e tij, shkallën prej 50 për qind të kalueshmërisë, në vështrimin se ajo është e lartë dhe se bëhet pengesë , sidomos për nxënësit e shkollave profesionale për të kaluar pragun për t' u regjistruar në universitet. Përkitazi me nxënësit e shkollave profesionale u përmend fakti se një përqindje e madhe e nxënësve , nuk po mund kryejnë testin e maturës. Në këtë situatë, vërehet një praktikë e keqe nga ana e universiteteve private, të cilat i regjistrojnë këta kandidatët pa kaluar pragun në testim. U tha se që nga viti 2006, rreth 30 mijë nxënës nga radhët e shkollave profesionale nuk kanë marrë diplomën, e kjo iu shkakton atyre probleme , meqë me certifikatë nuk mund të themelojnë marrëdhënie punë. Kishte propozime që nxënësit e shkollave profesionale të marrin diplomat,ndërkaq të drejtën për regjistrim e marrin nëse arrijnë shkallën prej 50 për qind në testim.
Gjatë debatit kishte edhe propozime për tërheqjen e Projektligjit nga procedura, por Komisioni ishte këmbëngulës se shqyrtimi nuk do të thotë që të përshpejtohet puna me çdo kusht, ndaj do të vazhdohet puna për plotësimin dhe amendamentimin e tij, bashkë me të interesuarit, në mënyrë që Ligji i ardhshëm të jetë i standardeve evropiane.
Mbarë shqyrtimi i Projektligjit ka për qëllim krijimin e kushteve për ngritjen e cilësisë së procesit mësimor, si parakusht i rëndësishëm për vazhdimin e studimeve. Ndërkaq, sa i përket administrimit gjatë testimit, u tha se duhet të ndërmerren masa ndaj personave jo përgjegjës, sidomos në rastet kur lejohet kopjimi nga ana e kandidatëve. Në praktikën e deritashme, si thanë disa diskutues, nuk dihet se është ndërmarrë ndonjë masë ndaj ndonjë administratori të papërgjegjshëm në këtë proces. Diskutuesit ishin kategorik në kërkesën se është koha për ndërmarrje të aktiviteteve për reforma të thella në arsim përgjithësisht, me të cilat do të kontribuohej në zhvillimin e ecurive të gjithmbarshme në institucionet arsimore,veçanërisht në ngritjen e cilësisë së procesit mësimor.