Lajmet e fundit
Kryetari Veseli në Manifestimin qendror në Mitrovicë, kushtuar Isa Boletinit: Heronjtë kthehen të fundit nga betejat!
E Mërkure, 10.06.2015
Në kuadër të aktiviteteve me rastin e rivarrimit të heroit të kombit Isa Boletini, sot në stadiumin ‘Adem Jashari' në Mitrovicë, u mbajt manifestimi qendror, në të cilin mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Para personaliteteve të shumta të jetës publike të Kosovës, Shqipërisë dhe viseve të tjera, si dhe mijëra qytetarëve në stadiumin e qytetit në Mitrovicë, kryetari Veseli, në fjalën e tij, vlerësoi lart kontributin atdhetar të tribunit popullor, Isa Boletini.
‘Derisa dje, në Kuvendin e Kosovës, po bënim homazhet për Isa Boletinin, mu kujtua një mendim i vjetër, sa vet historia: Heronjtë kthehen të fundit nga betejat. I tillë është Isa Boletini. Ai po kthehet sot, i fundit nga beteja e madhe për lirinë e Kosovës. Një shekull zgjati kjo betejë. Një shekull, nga Kaçaniku e n' Boletin Kosova ishte e mbuluar me tym. Por Kosova më në fund u bë e Lirë. Por Kësaj lirie i mungonte diçka. I mungonte heroi i saj i madh, tribuni popullor - Isa Boletini', theksoi kryetari Veseli.
Më tej në fjalë e tij, kryetari Veseli foli për rëndësinë e rrugës që ai trasoi për brezat pasardhës, duke qenë shembull i sakrificës dhe përkushtimit për atdhe.
‘100 vjet djemtë dhe vajzat e Kosovës ecën nëpër këto shtigje. Ecën Azem Bejta e Shote Galica. Hasan Prishtina e Bajram Curri, Shaban Polluzha e Mulla Idriz Gjilani, Adem Demaçi e Jusuf Gervalla, studentët e vitit '68, ‘81 dhe '89, të burgosurit politikë dhe veprimtarët e lëvizjes paqësore. Mërgata jonë gjithandej botës. Dhe në fund të shekullit, djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që vulosën historinë e përpjekjeve të popullit tonë për liri dhe pavarësi', tha kryetari i Kuvendit.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari Veseli kujtoi vitin 1998, kur nga Boletini e n' Kaçanik prapë Kosova po mbulohej me tym. Pikërisht ato ditë, shtoi z. Veseli, Isa Boletini po zhvarrosej në Podgoricë për t'u kthyer në Kosovë.
‘Si në legjendën e vjetër, kur djali del nga varri për të mbajtur besën që ia kish dhanë nanës, baca Isë po vinte se ja kishte dhanë besën Kosovës, për të qenë pranë saj në ditët më të vështira. Kosova ishte në luftë dhe Isa Boletini nuk mund të qëndronte larg saj. Gjallë ose i vdekun ai duhet të ishte në Kosovë', tha kreu i Kuvendit të Kosovës. Ai shtoi se sot Kosova është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran. Grykat e Kosovës janë të sigurta, e fushat e saj ushqejnë jetën e re.
Fëmijët, shtoi kryetari Veseli, shkojnë në shkollat që mbajnë emrin e Isa Boletinit, ndërsa shikimi i tij krenar është përjetësuar në shtatoret e qyteteve, nga Vlora në Mitrovicë.
‘Në kancelaritë diplomatike të perëndimit, ku dikur e çove zanin e Kosovës, sot janë miqtë më të mirë të lirisë dhe të shtetit tonë. Ne po punojmë bashkë me ta, që Kosovën ta bëjmë përditë e më të mirë, më të sigurtë, më demokratike, më prosperuese për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht dallimeve etnike apo fetare që ata kanë. Është koha të rehatohesh edhe ti Bacë. Të jesh mirë, sepse mirë janë, edhe Kosova, edhe Shqipnia!', theksoi në fund të fjalës së tij kryetari Kadri Veseli.
Manifestimi përmbyllet në orën 15:00 në Boletin, me ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të heroit të kombit, Isa Boletini.