Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Marte, 09.06.2015




Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit, në bashkëpunim me OSBE-në, mbajti sot një tryezë lidhur me zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Kosovë. Në këtë mbledhje merrte pjesë edhe Mahir Jakxhillar, ministër i Ministrisë së Administratës Publike, si dhe komisionieri i Komisionit për përdorimin e gjuhëve në Kosovë, Sllavisha Mlladenoviq.

Duke hapur tryezën, z. Pajaziti theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për nxjerrjen dhe zbatimin e ligjeve për të drejtat e komuniteteve në në mënyrë konsekuente. Përdorimi i gjuhëve të të gjitha komuniteteve është një nga të drejtat bazë të ligjit, mirëpo ligji jo gjithmonë është i kënaqshëm. Në këtë vështrim, ai përmendi problemin e përballjes me vështirësitë teknike sidomos në lëmin e përkthimit. Ndërkaq, në vijim ai tha se ekziston vullnet politik te të gjitha forcat politike për të realizuar të gjitha të drejtat e komuniteteve pa dallim përkatësie kombëtare, sipas konventave ndërkombëtare.

Në diskutimin e tij Kujtim Paçuku këtë tryezë e quajti të një rëndësie të veçantë, meqë po bisedohet edhe për gjuhën rome, duke shprehur besimin se ajo do të përdoret sipas dispozitave ligjore. Ai në vijim foli për historikun e përdorimit të kësaj gjuhe në Kosovë, e cila sidomos nga fundi i viteve tetëdhjetë filloi të përdoret dendur edhe në mjete të informimit, por edhe në institucione dhe veprimtari kulturore, madje filloi të mësohej edhe në shkolla. Ai tha se kjo gjuhë është tradicionale, e cila në Komunën e Graçanicës është e dyta për nga përdorimi.

Ministri Jakxhillar në fjalën e tij theksoi se Kushtetuta përcakton si gjuhë zyrtare dy gjuhë, ndërsa në çdo nivel përdoret edhe gjuha turke, rome dhe ajo boshnjake. Përdorimi i gjuhëve nuk përbën problem, çdo komunitet përdor gjuhën e vet. Ai në vijim tha se ekziston gatishmëri për rregullimin e çështjes së përdorimit të gjuhëve. Të gjitha komunitetet përdorin lirisht gjuhën e vet, madje kjo është e rregulluar me kushtetutë dhe ligj.

Para të pranishmëve, Sllavisha Mladenoviq,paraqiti disa aspekte të përmbajtjes së Raportit mbi përdorimin e gjuhëve, duke theksuar edhe problemin e përkthimeve joadekuate në dokumente të ndryshme, ndaj për këtë janë dhënë edhe rekomandime përkatëse. Kjo çështje është pasojë, theksoi ai, e mungesës së shërbimeve të përkthimit, përkatësisht mungesës së kapaciteteve përkatëse. Si prioritet ai përmendi nevojën e ndryshimit të Ligjit mbi gjuhët. Në këtë aktivitet, tha ai, është i nevojshëm një koordinim drejt sigurimit të një ligjshmërie sa më të mirë. Në lëmin e përdorimit të gjuhëve ka pasur ankesa dhe ato janë zgjidhur, por është i nevojshëm edhe një angazhim për ndryshime strukturale. Vendimin e Komunës së Graçanicës për të vënë në përdorim zyrtar gjuhën rome e quajti një hap shumë të rëndësishëm, që do të ndikojë në avancimin e kësaj gjuhe.

Gjatë debatit u tha se përdormi i gjuhëve është pasuri e shoqërisë dhe përparësi për qytetarët dhe shoqërinë në përgjithësi, duke e ilustruar këtë me shumë shembuj edhe nga praktika më të hershme të brezave.

Në përfundim të debatit, Zenun Pajaziti theksoi se edhe kjo tryezë është një shembull tipik për instalimin dhe krijimin mekanizmave për realizimin e të drejtave të komuniteteve pakicë edhe në lëmin e përdorimit të gjuhëve.

 

 

 Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media