Lajmet e fundit

Nga seanca solemne e Kuvendit në nderim të jetës dhe veprës së Heroit kombëtar, Isa Boletini

E Marte, 09.06.2015




Me intonimin e Himnit të Kosovës dhe të atij Kombëtar , në prani të pjesëtarëve të familjes Boletini e të mysafirëve të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë, është hapur sot seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës në nderim të jetës dhe veprës së Heroit kombëtar, Isa Boletini, e në kuadër të rivarrimit të eshtrave të heroit në vigjilje të 100-vjetorit të rënies së tij.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pasi i ka përshëndetur të pranishmit e shumtë në këtë seancë, ka theksuar: " I gjithë populli i Kosovës dhe ne përfaqësuesit e tij, sot jemi krenar që kemi mundësinë për t'i bërë nderime shtetërore këtij personaliteti të madh të Lëvizjes sonë kombëtare." Ai tutje ka spikatur se në një kohë dramatike për popullin tonë, vepra e Isa Boletinit përcaktoi shumë rrjedha të historisë dhe u bë shembull i frymëzimit patriotik për brezat pasardhës, që trashëguan misionin e çlirimit të Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli i ka njoftuar të pranishmit dhe qytetarët e Kosovës për homazhet që do të bëhen para eshtrave të heroit në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Ai u ka dhënë fjalën përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës për nga një fjalë rasti për jetën dhe veprën e Heroit tonë kombëtar, Isa Boletini.
Fjalime kanë mbajtur nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti (PDK), nënkryetari, Sabri Hamiti, (LDK), Glauk Konjufca, shef i GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, si dhe Valdete Bajrami, shefe e GP NISMA, të cilët kanë spikatur rëndësinë e veprës historike të Isa Boletinit për çlirim kombëtar dhe për shtetformim.
Më poshtë po i japim të plota fjalimet e mbajtura sot në Kuvend për Heroin tonë kombëtar, Isa Boletini.


Fjalimi i Nenkryetarit te Kuvendit z.Haliti


Të nderuar ambasadorë të vendeve mike,
I nderuar kryeministër, Isa Mustafa
I nderuar kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar ministra,
Të nderuar familjarë të heroit kombëtar, Isa Boletini,
Të nderuar të pranishëm


Të flasësh për një nga figurat më emblematike të Kombit shqiptar, Isa Boletini, është nder dhe previlegj i madh.
I ndikuar fuqishëm nga rrethanat e kohës, të cilat popullit shqiptar pakursyeshëm ia kishin imponuar luftën për mbijetesë fizike; njerëzore, kombëtare dhe territoriale, Isa Boletini burrërohet më herët se zakonisht për t'u vënë në shërbim të Kombit dhe Atdheut. Në moshën 17 vjeçare, në prill të vitit 1881, merrë pjesë në betejën e Slivovës, ku trupat ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të 10 qershorit 1878, u ndeshën fuqishëm me ushtrinë osmane.
Duke qenë i brumosur në frymën politike dhe ushtarake të Lidhjës, Isa Boletini përkrahu patriotin Haxhi Zeka dhe atdhetarët tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe qarqeve shoviniste fqinje.
Edhe gjatë Luftës Ballkanike të 1912-tës, Isa Boletini ishte një ndër krerët më në zë të çetave në Kosovë.

Isa Boletini hyri në historinë shqiptare për kontributin në arritjen dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Hyri në histori në një moment historik, por është nga të paktët që i rezistoi gjykimit të historisë. Kurse, pas shpalljës së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, vëhet në mbrojtje ushtarake të qeverisë së parë shqiptare, asaj të Ismail Qemalit.
Poashtu ishte anëtar i delegacionit shqiptar që me Ismail Qemalin shkoi në Londër për të mbrojtur ekzistencën e Shqipërisë së porsakrijuar. Faktikisht vënia në mbrojtje ushtarake dhe diplomatike të Pavarësisë së Shqipërisë, shënon aktin kulmor të përkushtimit dhe përpjekjës së heroit tonë në shërbim të Kombit.
Jo rastësisht, baca Isë u bë simbol i pashterrshëm frymëzimi i gjeneratave të tëra të shqiptarëve në përpjekjet dhe luftën e tyre për çlirim, liri e pavarësi, që kulmuan me luftën çlirimtare të UÇK-së. Të ndodhurit e tij krah Ismail Qemalit, themeltarit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka mbajtur në këmbë dhe çuar përpara edhe në rrethanat më të rënda të popullit tonë aspiratën për bashkim.
Me të gjitha veprimtaritë e organizuara nga Qeveria si dhe përmes kësaj seance të veçantë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, institucionet e shtetit tonë dhe përgjithësisht kombi shqiptar, po kryejnë një pjesë të obligimit që kanë ndaj Isa Boletinit; ndaj të kaluarës dhe të ardhmës sonë.
Pjesa tjetër, do të thoja pjesa e shumtë e obligimit tonë, kurorëzimi i së cilës do të rezultoj me integrimin evroatlantik dhe kombëtar të popullit tonë, mbetet për t'u përmbushur me përpjekje më të koordinuar dhe me përkushtim edhe më të madh. Mbetet detyrë prioritare e institucioneve të tanishme shtetërore, e institucioneve dhe gjeneratave të ardhshme. Vetëm kështu Kombi ynë do ta zëjë vendin meritor në familjen e kombeve të qytetruara.
Përmasa kombëtare e Isa Boletinit, përkushtimi i tij madhështor ndaj Kombit si dhe lavdia e tij do t'i mbijetojnë shekujt shqiptar edhe pas 10 qershorit.

Isa Boletini mëriton nderimin e gjithë shqiptarëve dhe kam bindjen se vendlindja e tij do të kthehet në faltore për gjithë shqiptarët në ballkan.

U prefshin në paqë eshtrat Tuaja heroi ynë Isa Boletini!

 

SABRI HAMITI

PËR ISA BOLETININ
(Prishtinë, 10 qershor 2015)

Shenjimi i përvjetorit të Isa Boletinit në Kuvendin e Republikës së Kosovës na bën të reflektojmë sot e këtu për historinë e trashëgiminë, për ngjarjet e figurat historike, sepse nuk ka kohë zero të një vendi e të një kombi.
Kosova në vitet 60-të (1968) e rizbuloi Gjergj Kastriotin në 500-vjetorin e tij.
Kosova në vitet 70-të (1978) e rizbuloi në 100 vjetor Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, bashkë me të Ymer Prizrenin e Abdyl Frashërin. Po ashtu ndarjen dhe vetminë njëqindvjeçare.
Në vitet 80-të, Kosova zbuloi vetveten dhe kryengritjen.
Në vitet 90-të, Kosova njohu vetveten, domosdonë e lirisë e të pavarësisë dhe të luftës për liri. Këto i njohu edhe bota nëpërmjet Ibrahim Rugovës e Adem Jasharit.
Në vitet 2000 (2008), Kosova u shpall e u njoh e pavarur, në 100 vjetorin e alfabetit shqip dhe në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, duke kujtuar Ismail Qemal Vlorën e Isa Boletinin.
Kujtimi i ikonave shqiptare, të lidhura njëra me tjetrën, të cilat në mbiemra mbajnë vende e krahina shqiptare, në kohë e në hapësirë, na nxjerrin përpara mbi të gjitha sintaksën shqiptare, që lidh mendimin dhe veprimin për të krijuar identitetin kombëtar si vetëdije e si histori; një trashëgimi që kapërcen breza e shekuj.
Sot që po shenjojmë 100 vjetorin e Isa Boletinit duke i kthyer eshtrat e tij në vendlindje, në Boletin, le të më lejohet të kaloj nga kujtesa historike në kujtesë poetike, duke pasur vetëdijen që Isa Boletini ishte këtu përgjithmonë.


ISA BOLETINI

Fliste. Flitshin. I ndëgjonte,
Isa me sy plot mall
Maste largësitë e Dheut.

Me gishta të trashë
Shkruante hartën e re
Në dheun e kuq të udhës,
Isa me sy të përmalluar
Maste largësitë e At-Dheut.

Tymi le të dalë në Llap
Kur nën lisa bie dushku
Të çohet flakë përnjëherë
Në Kaçanik, në Carralevë.
Isa me sy të përmallshëm
Shihte udhët që ngjiteshin.

Flaka nis zihet e rritet
Kur dushku bie ndër Lisa
Zjarri e djeg mustakun
Në sy ziente lotin Isa
E vargu i shtruar me plisa
E zdrit udhën në një.

Isa me sy të përmallshëm
Maste gjerësitë e Dheut
Këmbët ngulte në Gur
Kur shkelte në Flamë-Urë
I drejtë si një Flamur

E tirrte mallin Isa
Në flakë digjej shtëpia
Kur dushku bie nën Lisa
E rruga shtrohet me plisa
Me gisht krijonte hartën
Po gishti pikonte gjak.

Nuk herret mali me shpatë
Nuk shkelet deti me kalë
Nuk shuhet malli me valë
Në udhën e shkretë në natë.
Kur shkeli në Flamë-Urë
I drejtë si një Flamur.

Një dorë në zemër një në flakë
E shkundi malin fryu fushat.
Masha ia mati shtatin!
Kur tha se vdiq keq tjerr fatin,
Me lot me rrenat e Dheut
Mat gjerësinë e At-Dheut.

( E shkruar në vitin 1981)


Fjalimi i z. Glauk Konjufca

E nderuara familje Boletini,
Të dashur qytetarë,
Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Isa Boletini është një prej figurave qendrore të pavarësisë shqiptare.
Ai së bashu me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin e Idriz Seferin vazhduan rrugën e Abdyl Frashërit e Ymer Prizrenit për lirinë tonë kombëtare kundër shtypjes osmane.

Por figurat tona të mëdha kombëtare nuk janë thjesht që t'i nderojmë vetëm sa për t'i varrosur në panteonin e lavdishëm të historisë.
Isa Boletini është aktual, jo muzeal.
Vlerat e tij janë udhërrëfyes për këdo që merr përsipër përgjegjësi publike për kombin.

Së pari është - atdhedashuria e pakushtëzuar.
Isa Boletini nuk e shihte kombin përmes vetvetes, por veten e tij përmes kombit.
Fati i tij personal është singular me fatin e kombit shqiptar.
"Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia" - i tha Ibrahim Pashës.
Pra, kombi im është kushti i jetës sime, dhe jo e kundërta.
Kur i mbështeti xhonturqit kundër sulltan Hamitit, ai këtë e bëri sepse bashkë me Hasan Prishtinën mendonin se kjo do të sjellë më shumë liri e të drejta për shqiptarët.
Por kur doli e kundërta, ata nuk u ndalën - luftën më të madhe e bënë pikërisht kundër ‘turqve të rinj' sepse shtypja nuk u hoq.

Së dyti është guximi i paepur.
Isa Boletini ka qenë i pathyeshëm.
Ai ishte një prej komandantëve të Gardës së Sulltanit, por u pajtua me rrezimin e tij, vetëm që për shqiptarët të bëhej më mirë.
Asnjë privilegj, asnjë post, asnjë favor, asnjë pasuri e premtuar nuk e lëkundi Isa Boletinin që ta hidhte qoftë një hap të vetëm kundër popullit të vet.
Kur xhonturqit ia zunë peng dy djemët e tij në Selanik dhe i thanë që të dorëzohej, ai tha - jo vetëm këta dy, por nëntë djemtë e mi nuk i kam bërë për vete por për lirinë e Shqipërisë.
Kjo do të thotë që jo vetëm veten, por të gjithë familjen e farefisin Isa Boletini e vendosi në tehun e sakrificës kolektive për lirinë e kombit.
Nuk është se nuk iu dhimbsën djemtë.
Të gjithëve iu dhimbsen fëmijët e vet.
Nuk është se ishte pa ndjenja.
Por se ishte thelbi i njeriut: ta mohosh veten dhe familjen për ta pohuar kombin.
Pasardhësi i drejtpërdrejtë i Isa Boletinit është Adem Jashari.
Familjet e tilla dhe personalitete si Isa Boletini e Adem Jashari bëhen leva të Arkimedit për lirinë e një kombi të tërë.

Së treti është modestia dhe refuzimi kategorik që të përfitosh personalisht nga liria e kombit.
Kur Ismail Qemali i kërkoi Isa Boletnit të bëhej ministër në Qeverinë shqiptare, ky i fundit i tha se ka njerëz edhe më të shkolluar.
Ai, pra, nuk e shihte lirinë e kombit të vet si një mundësi për vete para së gjithash.
Kur hyri në Vlorë dhe e puthi flamurin kuqezi të pavarësisë, zemra iu mbush plot dhe me kaq u mjaftua për vete.
Pavarësia nuk mbahet me privilegje vetanake, por vetëm me sakrifica të vazhdueshme personale që ajo të mund të qëndrojë.
E nesërmja e pavarësisë atë e gjeti në Shkodër duke e mbrojtur atë nga Mali i Zi, në Malësinë e Gjakovës, apo në Durrës duke luftuar kundër xhonturqve.
Të vegjël janë ata që mendojnë për poste kur kombi ka nevojë për mbrojtje.

Zonja dhe zotërinj,
Isa me të drejtë po varroset në Boletin.
Por do të jetë i qetë vetëm atëherë kur mbi kalanë e Zveçanit të valojë flamuri kuqezi dhe jo ai i Serbisë.
Dhe vetëm atëherë kur Mitrovica, të cilën ai aq shumë e deshi dhe për të cilën luftoi - të bashohet.
Isa Boletini nuk do të prehet i qetë nëse varri dhe kulla e tij përfundojnë në zajednicën serbe, e të cilën po e krijojnë pikërisht këta pushtetarë që sot Isa Boletinit po i thurin lavde.

Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së heroit tonë kombëtar - Isa Boletini.

 

Fjala e Ramush Haradinaj, në seancën e veçant të Kuvendit të Kosovës të mbajtur për Isa Boletinin.


Të nderuar te pranishëm,

Nëse në historinë tonë kombëtare kërkojmë vlerat atdhetare, por edhe humanizmin dhe respektin për shtet dhe identitet kombëtar, atëherë këto vlera, padyshim se i gjejmë në figurën e Isa Boletinit.

Vepra e Isës, si për së gjalli ashtu edhe tani, ka një simbolikë të fuqishme, që konsiston në idenë e të qenit bashkë nga të gjitha trevat shqiptare, por edhe me gjerë, pa dallime dhe ngjyrime partiake e politike.

Madje, Isa veten e identifikoi me fatin e atdheut, duke u shprehur burrërisht se ai ishte mirë kur ishte mirë Shqipëria.

Isa jetoi dhe veproi në kohën kur qenia kombëtare edhe territoriale e shqiptarëve u rrezikua shumë seriozisht. Kryengritjet në Kosovë, të udhëhequra nga ai, patën një jehonë të madhe, dhe përgatitën terrenin për pavarësimin e Shqipërisë. Dhe, nëse Isa gjatë jetës la një porosi, atëherë ketë gjë po e bënë edhe tani. Ai po i kthehet vendlindjes me porosi se atdheu nuk tjetërsohet dhe nuk vihet në pazar, dhe roje e dëshmi do të jetë prehja e tij në Boletin.

Prehja e eshtrave të Isa Boletinit në vendlindje, imponohet edhe nga fakti se varri i tij ishte mbajtur rreth 70 vjet sekret dhe i pashënuar nga pushteti i atëhershëm jugosllav, me qëllim të zhdukjes së çdo gjurme të këtij trimi dhe bashkëluftëtareve të tij, andaj ky akt është një borxh i dyfishtë i joni ndaj këtij heroi.

Figura e Isës edhe tani, 99 vjet pas vdekjes, le të jetë shembull për të gjithë, se si interesi kombëtar dhe shtetëror vendoset para çdo interesi tjetër.

 

Lavdi dhe u preftë i qetë për jetë e mot!

 


Fjalimi i Valdete Bajrami

ISA BOLETINI - Luftëtar i shquar
i pavarësisë së Shqipërisë


Sot, pak muaj pa u mbushur 100 vjet, në Kuvendin e Republikës se Kosovës, Kryetrimit të Termopileve Shqiptare te Kosovës - Isa Boletinit, po ia bëjmë nderimin e merituar, për të cilin nderim heroi ynë dhe populli i ynë priten një shekull.
Për të ardhur te ky moment u deshën shumë përpjekje, shumë flijime, shumë ngritje e rënie te disa brezave, prej të cilëve, brezi ynë, pas ati te UCK-së po rezulton të jetë më fatlumi, pasi vite më parë ia hapi rrugën e ardhjes në Kosovë, Kryeheroit të shqiptarëve - Skënderbeut, para pak dite, Flamurtarit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemalit, e tani edhe Fatosit te Kryengritjeve Shqiptare te viteve 1910 - 1912, Isa Boletinit.
Qytetarë të nderuar te Kosovës,
Shqiptar kudo ku jeni,

Isa Boletini atdhedashurinë e tij do ta tregojë në vitet e lavdishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur si minoren mori pushkën për t'iu bashkuar luftëtarëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Luftëtarët kombëtarë do ta kursejnë shaljanin e ri nga Boletini, dhe nuk u gabuan.
Nuk do të vonojë, kur ai për dekada do të bëhet njëri nga udhëheqësit më me integritet i të gjitha besëlidhjeve shqiptare, njëri nga drejtuesit e luftëtarët më të pakompromis i të gjitha kryengritjeve shqiptare për çlirim, për autonomi e pavarësi të shqiptarëve e të Shqipërisë.

Në ditët më të vështira të popullit shqiptar, në fillimshekullin XX, në ditët që e bënë të lavdishëm shekullin e Pavarësisë së Shqipërisë, ishte krah për krah Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Bajo e Çerçiz Topullit, Bajram Currit e luftëtarëve tjerë të mëdhenj të kombit, të burrave me integritet që nisën Epokën e epokave të shqiptarëve - Epokën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Edhe, sot nga kjo foltore e Kuvendit te Kosovës, atyre burrave te kombit Ju përcjellim nderimet tona të përjetshme, të sinqerta e bujare!

Isa Boletini u lind më 15 janar të vitit 1864 në fshatin Boletin, i cili shtrihet në pjesën veriore të Mitrovicës, aty ku familja Boletini kishte shtëpi e katandi, kishte Kullën me bedena që therte qiellin, e cila armiqve të Shqipërisë u bënte karshillëk dhe për atdheun ishte rojë nderi e llogore lufte.

Në një ambient tejet atdhetar, ku tregoheshin legjenda për trimëritë tradicionale shqiptare, ku thureshin e bëheshin legjendat, ku tregoheshin bëmat e Skënderbeut e të Gjergj Elez Alisë, Abdyl Frashërit e Sulejman Vokshit, të Mic Sokolit e Sefë Koshares, të Ali Ibrës e Jakup Ferrit.

U rrit e u edukua kështu shtatlarti i Boletinit, që edhe për jetën e veprën e tij u thurën mite e legjenda.
Vetëm kjo formë e të mësuarit të historisë, përmes miteve e legjendave, popujve të robëruar e të paarsimuar, siç ishte edhe populli ynë, u ka mundësuar të kapërcejnë shekuj e të ruajnë me integritet identitetin e tyre: etninë, gjuhën, kulturën e traditat e tyre të përcjella brez pas brezi.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit për shqiptarët, kudo që ishin, po e hapte një epokë të re, Epokën e shqiptarizmës, jo vetëm për një komb, për një gjuhë, shkollë e atdhe të përbashkët, por edhe për një shtet të shqiptarëve - Shqipërinë.

Idetë që i formoi dhe i kristalizoi shekulli XIX, përmes mendjeve të ndritura të Rilindjes Kombëtare, duhej t'i vazhdonte, finalizonte e formalizonte shekulli XX dhe për këtë populli shqiptar i kishte bërë përgatitjet e shumanshme, e mbi të gjitha historia njëshekullore i kishte përgatitur drejtuesit dhe luftëtarët e integritetit të lartë kombëtar e atdhetar - Luftëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë.

Njëri nga këta luftëtarë, me identitetin dhe integritetin e tij të paluhatshëm dhe i pakompromis, pa dyshim që ishte luftëtari nga Boletini. Isë Boletinin, jeta e kishte mësuar për t'u përballur me furtunat e vështirësitë e jetës, jeta e kishte bindur se nderi, liria e lavdia çmimin e kanë të shtrenjtë, tepër të shtrenjtë, se për këto gjëra të çmuara njerëzore, që u shërbejnë e vihen në shërbim të brezave, ia vlen të bëhet çdo flijim njerëzor.

Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Të nderuar bashkëkombës kudo ku jeni,

Edhe sot si para 100 vite, Kosovës i duhet urtia e rilindësve tanë të urtë, na duhet shqiptarizma si fe e atdhe, ajo që na e bëri strehën e përjetshme në Evropën pellazge, na duhet dashuria e integriteti për komb e atdhe, na duhet guximi i Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, i asaj Lëvizje që lindi Ushtrinë Çlirimtare te Kosovës dhe Komandantin Legjendar - Adem Jasharin. Janë këta breza që na brumosën me dashurinë për liri e pavarësi që i kemi sot.
Respekti për këta breza që nuk kursyen asgjë për komb e atdhe, respekti për Isa Boletinin na bëri që duke nderuar Kryeheroin e Kryengritjeve Shqiptare, ta nderojmë Qershorin e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit dhe Qershorin e Lirisë se Kosovës!

Lavdi e përjetshme Heroit te Kombit - Isa Boletinit!

 

Nga seanca solemne e Kuvendit në nderim të jetës dhe veprës së Heroit kombëtar, Isa BoletiniNga seanca solemne e Kuvendit në nderim të jetës dhe veprës së Heroit kombëtar, Isa BoletiniNga seanca solemne e Kuvendit në nderim të jetës dhe veprës së Heroit kombëtar, Isa BoletiniNga seanca solemne e Kuvendit në nderim të jetës dhe veprës së Heroit kombëtar, Isa Boletini