Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim
E Hënë, 08.06.2015
Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, kryesoi z.-nja Jasmina Zhivkoviq, kryetare e Komisionit, mbajti mbledhje në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte raportimi i ministrit për Komunitete dhe Kthim, z.Dalibor Jeftiq, lidhur me disa çështje, para se gjithash të politikës zhvillimore të kësaj ministrie në drejtim të integrimit të komuniteteve pakicë në Kosovë, ndarjes proporcionale të mjeteve për komunitete dhe lidhur me strukturën e të punësuarve në MKK.
Në mbledhje në fjalë, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe ministri për komunitete dhe kthim, z.Dalibor Jeftiq, me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, si dhe përfaqësuesit e OSBE-së dhe të Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Kryetarit të Republikës së Kosovës.
Në fillim të kësaj mbledhjeje të Komisionit, ministri i MKK-së, z. Jeftiq, ndër të tjera, theksoi se me Planin e punës së kësaj ministrie për vitin 2015, ndër të tjera, është parashikuar që të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë dhe punojnë në Kosovë të mbrohen në mënyrën më të mirë të mundshme, që të krijohen kushtet për kthimin e pa pengesë të personave të shpërngulur, që për të kthyerit të krijohen kushte me rastin e punësimit, që personat që kthehen të ri-integrohen sa më parë në jetën dhe punën e gjithmbarshme në territorin e Kosovës. Në vazhdim, ministri Jeftiq theksoi se kjo ministri, para do kohësh, miratoi Planin strategjik për periudhën 2014 - 2018 dhe se, sipas këtij plani strategjik, krijohen të gjitha kushtet për kthim të papengesë të atyre që para lufte kanë jetuar dhe punuar në Kosovë dhe për të gjithë ata që do të kthehen në Kosovë, krijohen kushte për jetë dhe punë të pa pengesë në tërë territorin e Kosovës. Më tutje, ministri theksoi se gjatë këtij viti duhet të themelohet Zyra ndërministrore për komunitete, e cila do të ndihmojë në terren për përshpejtimin e aktivitetit të gjithmbarshëm, para së gjithash në ndërtimin e shtëpive për të kthyerit dhe personat e zhvendosur, për mbrojtjen e tyre shëndetësore dhe sociale, punësim dhe shumë çështje të tjera.
Në vazhdim të fjalës së tij, ministri Jeftiq theksoi se në vitin vijues, punë me përparësi të kësaj ministrie janë ato që kanë të bëjnë me përgatitjen e Projektligjit për Personat e Zhvendosur, mbyllja e qendrave kolektive në tërë territorin e Kosovës, ndërtimi i objekteve të banimit për të kthyerit dhe personat e zhvendosur dhe shumë punë të tjera, që janë me interes vital për të gjitha komunitetet që jetojnë dhe punojnë në Kosovë. Z. Jeftiq theksoi se në procesin e kthimit të personave të zhvendosur nga Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi kanë një bashkëpunim mjaft të mirë ndër - rajonal me të gjitha vendet e theksuara.
Duke folur për ndarjen e fondeve, ai theksoi se në këtë ministri - fondet ndahen sipas kërkesave, përkatësisht sipas përparësive, e kurrsesi sipas përkatësisë nacionale apo etnike. Duke folur për strukturën e të punësuarve në këtë ministri, ai theksoi se në MKK-55% të të punësuarve janë shqiptarë, 39% janë serbë, 4% janë turq, 1% janë boshnjakë dhe romë, mirëpo nuk ka asnjë të punësuar që i përket komunitetit Ashkali dhe Egjiptas.
Në fund të kësaj mbledhjeje të Komisionit, deputetët i parashtruan ministrit për kthim dhe komunitete, z. Dalibor Jeftiq, pyetje të shumta, ndër të cilat, bie fjala, ishin pyetjet se - kur në këtë ministri do të punësohen edhe pjesëtarët e komunitetit Ashkali dhe Egjiptas, kur për komunitetin Ahkali, Egjiptas dhe Boshnjak do të ndërtohen më shumë se deri më tani objekte të banimit, pastaj pyetja se kur, në kuadër të kësaj ministrie, do të ndahen në mënyrë më të barabartë mjetet në para për ndërtimin e shtëpive në veri të Kosovës, ku në radhë të parë jetojnë pjesëtarët e komunitetit shqiptar dhe shumë pyetje të tjera.