Lajmet e fundit
Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, Kuvendi hap dyert për nxënësit
E Premte, 05.06.2015
Sot, me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka hapur dyert për nxënës nga rajone të ndryshme të Kosovës, të cilët kanë simuluar edhe mbajtjen e një seance plenare.
Duke iu adresuar atyre me një fjalë mirëseardhjeje, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, vlerësoi se nuk ka gjë më të bukur dhe më të qëlluar se sa që kjo ditë të shënohet së bashku me nxënës. Ashtu si fëmijët paraqesin pastërtinë e shpirtit njerëzor, shtoi kryetari Veseli, ashtu duhet të jetë edhe ambienti jetësor, i pastër, të shëndetshëm dhe dinjitoz.
"Në jemi një shoqëri që përballet me sfida të mëdha politike dhe ekonomike, por, kjo nuk është arsyetim për të harruar problemet e ambientit. Ne e dimë se kualiteti i jetës sonë, në masë shumë të madhe, varet nga kualiteti i ambientit në të cilin jetojmë dhe nëse nuk kujdesemi për të, ne lëmë pas dore vet jetën tonë. Kështu siç është sot, ambienti ynë nuk paraqet aspak një pasqyrë të mirë për të gjithë ne si shoqëri", tha kryetari Veseli, duke shtuar se ambienti nuk është vetëm shëndet, por edhe kulturë dhe imazh.
Prandaj, theksoi kryetari Veseli, duhet të punohet më shumë në ruajtjen e ambientit natyror dhe të mos lejohet degradimi i pyjeve, lumenjve e tokave, por gjithashtu, edhe duhet ndërtuar plane konkrete për të ndaluar ndotjen urbane, e cila paraqet rreziqe tepër të mëdha shëndetësore dhe është pengesë reale e zhvillimit të mirëfilltë ekonomik.
Kryetari i Kuvendit tha se Ministria e Ambientit e Qeverisë së Kosovës është duke punuar në këtë drejtim, ndërsa baza ligjore tanimë është krijuar dhe shumë projekte janë realizuar, por duhet të bëhet edhe më shumë dhe më shpejt. Ministria e Arsimit, nga ana tjetër, shtoi z. Veseli, do të ishte mirë t'i fuqizojë programet e edukimit ambiental në shkolla, si pjesë e edukatës qytetare.
"Kujdesi për ambientin është vlerë qytetarie. Ne duhet të kemi si qëllim të përbashkët që gjeneratat e reja të rriten me kulturën e kujdesit ambiental. Ju të dashur nxënës duhet të jeni gjenerata e parë e Kosovës së gjelbër, flamurtarët e saj", tha kryetari Veseli.