Lajmet e fundit

Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Konferencën Shkencore “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”

E Premte, 05.06.2015




Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe organizuar nga Instituti i Historisë në Prishtinë, Instituti i Historisë në Tiranë dhe Instituti për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, sot në Kuvendin e Kosovës është mbajtur Konferenca Shkencore "Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare".
Para studiuesve të jetës dhe veprës së Isa Boletinit, historianëve dhe të pranishmëve të tjerë të shumtë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, mbajti një fjalë rasti.


Gjatë fjalës së tij, kryetari Veseli foli për figurën e heroit kombëtar, Isa Boletini, veprimtarinë dhe rolin e tij në kryengritjet shqiptare të fillimshekullit të kaluar, përpjekjet për çlirim kombëtar dhe formimin e shtetit.
Kreu i Kuvendit tha se periudha në të cilën jetoi dhe veproi Isa Boletini, ishte periudhë dramatike e historisë sonë kombëtare dhe e kthesave të mëdha. Sundimi shekullor osman, shtoi kryetari Veseli, po kalonte vitet e fundit të tij dhe shqiptarët po përballeshin me një sfidë radikale: ose do të dilnin nga ky sundim si një komb i formuar dhe me aftësi shtetformuese, ose rrezikonin shpërbërjen kolektive, si etni dhe territor.


"E gjithë veprimtaria e Isa Boletinit ishte një përballje me këtë sfidë. Ishte një përballje titanike, e cila e çoi atë nga betejat e grykave të Kosovës, në mbrojtjen e pavarësisë kombëtare të shpallur në Vlorë, e prej andej në zyrat diplomatike të Evropës. Isa Boletini ishte një lider popullor që veproi në përputhje me nevojat e kohës. Kjo ishte koha e çlirimit kombëtar dhe formimit të shtetit kombëtar. Ishte koha ku shqiptarët duhet të dëshmonin ekzistencën e tyre kombëtare dhe të drejtat e tyre legjitime", theksoi kryetari i Kuvendit, duke shtuar se të gjitha kryengritjet dhe përpjekjet e Isa Boletinit ishin në shërbim të këtij qëllimi madhor.


Z. Veseli tha se sot, në kushtet e reja sociale dhe politike, figura historike e Isa Boletinit kërkon qasje të reja shkencore dhe akademike.


"Unë besoj se historiografia jonë, tanimë e pavarur nga diktatet ideologjike dhe politike, është në gjendje të përmbushë këtë nevojë të vetëdijes sonë kombëtare, të kulturës dhe kujtesës sonë historike", tha në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli.

 

 

Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Konferencën Shkencore “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Konferencën Shkencore “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Konferencën Shkencore “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Konferencën Shkencore “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”