Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 04.06.2015




Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetari, Sabri Hamiti, filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe kohës për pyetje parlamentare. Me këtë rast, deputetët ngritën çështje të ndryshme nga zhvillimet aktuale shoqërore, ekonomike,arsimore e politike në vend. Në kuadër të kohës për pyetje parlamentare, në pyetjet e deputetëve u përgjigjën përkatësisht ministrat, Arsim Bajrami, ministër i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hikmete Bajrami, ministre e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Kujtim Shala, zv. kryeministër dhe ministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Arban Abrashi, ministër i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Memli Krasniqi, ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.


Në vijim ne rëndin e ditës ishte paraparë interpelanca e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, për përgjegjësinë lidhur me procesin e demarkacionit të kufirit në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Përkitazi me këtë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, njoftoi deputetet se në mbledhjen e Kryesisë, gjatë përcaktimit të rendit të ditës, është theksuar se nëse zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme , Hashim Thaçi, e njofton Kuvendin se nuk mund jetë i pranishëm, kjo pikë shtyhet për seancë të radhës. Me shumicë votash kjo pikë e rendit të ditës u shty për një mbledhje tjetër.


Sa i përket pikës vijuese të rendit të ditës, shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit të posaçëm për zgjedhjen e dy (2) gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, fjalën e mori Adem Grabovci, kryetar i GP të PDK-ës,
i cili theksoi se në konsultim me shefat e grupeve parlamentare, duke ditur rëndësinë e kësaj çështjeje dhe mungesën e disa deputetëve, votimi i 2 gjyqtarëve të shtyhet për një seancë tjetër, propozim që u përkrah nga deputetët.
Pikë vijuese e rendit të ditës së kësaj seance ishte shqyrtimi i Raportit të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Duke marrë fjalën , Albulena Haxhiu, në emër të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, propozoi që për shkak se në mbledhje nuk është i pranishëm ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, nuk e sheh të udhës të shqyrtohet kjo çështje. Kuvendi edhe këtë pikë e shtyri për një mbledhje tjetër.


Deputetët pastaj nisën shqyrtimin e Raportit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor për cilësinë e grurit të importuar. Në emër të këtij Komisioni Raportin mbi mbikëqyrjen e cilësisë së grurit të importuar, para deputetëve e paraqiti anëtari i këtij Komisioni, Adem Salihaj, i cili theksoi se duke ndjerë shqetësime lidhur me cilësinë e grurit të importuar, sidomos nga Serbia, nga ana e këtij Komisioni u iniciua kontrolli i grurit të importuar, duke formuar edhe një grup të punës. Ky grup punues realizoi një numër të madh kontaktesh e vizitash në terren, me të gjithë faktorët kompetentë për këtë çështje dhe njëkohësisht grumbulloi materiale të shumta.


Komisioni ka pasur dy takime me përfaqësuesit e Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinarisë. Përfaqësuesit e kësaj agjencie kanë pohuar se sasia e importuar nga Serbia gjatë vitit 2014 ka qenë qind për qind e cilësisë së mirë. Është theksuar se mostrat e grurit janë dërguar për analiza edhe në Institutin Bujqësor të Kosovës, sipas të cilave gruri në këtë përqindje ka qenë i mirë për ushqim të njerëzve. Duke paraqitur edhe disa informata të tjera, z. Salihaj theksoi se nga Raporti i AUV-it figuron se gjatë vitit 2013 janë importuar 1166 tonë grurë ushqim për kafshë, mirëpo, kompania "M$Silosi" thotë se ka importuar 10 mijë tonë grurë për ushqimin e kafshëve, që tregon për mospërputhje të të dhënave për të njëjtën çështje. Kur është fjala për Doganat e Kosovës, , z. Salihaj tha se ato nuk kanë qenë konsekuente në kontrollin e grurit. Sipas tyre gruri i importuar eksportohet, por shpërndahet edhe në Kosovë. Format e importit krijojnë kushte për manipulime, ndërsa këto veprime krijojnë evazion fiskal, që dëmtojnë buxhetin e Kosovës, theksoi z. Salihaj.


Duke folur për vizitën e grupit punues në Institutin Bujqësor të Kosovës në Pejë, Adem Salihaj tha se habit fakti se ky institucion i rëndësishëm nuk është i akredituar. Komisioni ka barë vizita dhe ka mbledhur të dhëna edhe nga shumë institucione tjera, theksoi Salihaj.


Salih Salihu, nga GP i Vetëvendosjes, theksoi se të dhënat e marra nga vizitat nuk përkojnë me të vërteten sa i përket importit të grurit. Ndërkaq, duke folur për çmimin e miellit, ai tha se ai po ndikon në mosinteresim për mbjelljen e grurit. Ai në vijim foli edhe për importin e qumështit me origjinë bimore, i cili po e shkatërron prodhimtarinë e qumështit në Kosovë. Në këtë vështrim , ai për këtë gjendje të rëndë, fajësoi institucionet përkatëse, të cilat janë jashtë funksionit të tyre,përderisa nuk dinë përbërjen e prodhimeve të importuara. Donika Kadaj-Bujupi duke folur për çështjen e kontrollit të artikujve ushqimorë theksoi se ajo është simbolike, duke shprehur pak shpresë se edhe rekomandimet e Komisionit do të zbatohen. Ngritje të përgjegjësisë së institucioneve përkatëse për këto ecuri që shkaktojnë dëme të shumanshme kërkuan edhe Emila Rexhepi (GP i PDK-ës), Haxhi Shala( Nisma) e Fikrim Damka(6+).


Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor ka paraqitur edhe rekomandimet, zbatimi i të cilave do të kontribuonte të dilet nga kjo situatë,si: Qeveria të ndërmarrë veprimet e duhura për ngritjen e përgjegjësisë së stafit udhëheqës të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë; të krijohet një sistem i avancuar i detabazës; të ndryshohen politikat fiskale për grurin e importuar, Qeveria të ketë një mbikëqyrje me serioze ndaj Doganave të Kosovës etj. Ishte konstatim i përgjithshëm se Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa për mbrojtjen e prodhuesve vendorë, që vijnë si pasojë e veprimeve të paligjshme në treg.


Deputetet në seancën e sotme kishin në rendin e ditës edhe zgjedhjen e një anëtari të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nga radhët e komunitetit serb. Me vota të fshehta anëtar i këtij Këshilli u zgjodh Lejla Petkoviq.


Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli njoftoi deputetët se, më 9 qershor, Kuvendi do të ketë seancë solemne në nderim të Isa Boletinit, duke filluar nga ora 12, ndërsa nga ora 14 do të bëhen homazhe nga ana e deputetëve dhe qytetarët.

 

 

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit