Lajmet e fundit
Kryetari Veseli priti Përfaqësuesin Special të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore, Roberto Batelli
E Enjte, 04.06.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Përfaqësuesin Special të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore, Roberto Batelli, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori Jean-Claude Schlumberger.
Kryetari Veseli dhe z. Batelli biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, për rolin dhe kontributin e OSBE-së në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës, për bashkëpunimin reciprok dhe mundësitë e avancimit të mëtejmë të tij.
Duke konfirmuar vazhdimin e mbështetjes nga ana e OSBE-së për dialogun e brendshëm parlamentar dhe bashkëpunimin ndërparlamentar, Roberto Batelli çmoi të arriturat dhe zhvillimet pozitive në vendin tonë, me theks të veçantë, ato që lidhen me të drejtat e komuniteteve pakicë.
Kryetari Veseli, ndërkaq, shprehu kënaqësinë për nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike në Kuvendin e Kosovës, por edhe për marrëdhëniet e mira me parlamentet e tjera rajonale.
Kreu i Kuvendit theksoi se transparenca dhe qasja e qytetarëve në punën e Kuvendit janë vlera të cilat duhet kultivuar dhe avancuar më tej, duke e bërë punën e legjislativit sa më te prekshme për publikun.
Kryetari Veseli foli edhe për angazhimet e institucioneve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
"Mirëqenia ekonomike është thelbësore për të gjithë qytetarët e Kosovës, prandaj mbetet prioritet jo vetëm i Kuvendit, por i të gjitha institucionet e vendit, duke i çuar përpara projektet e kësaj natyre", theksoi kryetari Veseli.