Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 03.06.2015
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të cilin e kryesonte Flora Brovina,kryetare e Komisionit, ka mbajtur sot mbledhje në të cilën ka pasur dy pika kryesore të rendit të ditës: Takimi me përfaqësuesit e shoqatave të minatorëve pensionist dhe invalidë të Republikës së Kosovës, si dhe ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, z.Arban Abrashin përkitazi me zbatimin e Ligjit nr. 04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti.
Në mbledhjen e lartpërmendur përveç anëtarëve të Komisionit, merrte pjesë edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z.Arban Abrashi me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, kryetari i shoqatave të minatorëve pensionist dhe invalidë të Republikës së Kosovës, z. Naser Avdiu dhe nënkryetari i kësaj shoqate z. Gani Musliu, si dhe përfaqësuesi i OSCE-së.
Në fillim të pjesës së parë të mbledhjes kryetari i shoqatave të minatorëve pensionist dhe invalidë të Republikës së Kosovës, z. Naser Avdiu, ka theksuar se kjo shoqatë para një kohe të konsiderueshme iu ka drejtuar të gjitha institucioneve të Kosovës me një shkresë zyrtare me të cilën ka kërkuar që në mënyrë urgjente ta rregullojnë statusin e minatorëve të cilët janë nën moshën 50 vjeçare dhe si të tillë janë 72 dhe të cilët nuk marrin kurrfarë kompensimi në të holla. Që nga viti 1999 sipas Udhëzimit të UNMIK-ut të gjithë minatorët të cilët i kanë pasur më pak se 65 vjeç dhe nuk e kanë arritur të drejtën ligjore për pensionim kanë marrë kompensim në të holla, por me hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 04/L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti tanimë nuk i marrin këto mjete në të holla të cilat i gëzonin më parë.
Në vazhdim të fjalës së tij z.Avdiu ka theksuar se kartelat shëndetësore të cilat i lëshon kjo shoqatë tanimë asnjë institucion shëndetësor nuk i pranon, që do të thotë se nuk trajtojnë për shërim këta minatorë të cilët kanë nevojë për shërim nga sëmundjet profesionale nga të cilat vuajnë shumica e minatorëve si dhe sëmundjeve tjera. Në fund kryetari i shoqatave të minatorëve pensionist dhe invalidë të Republikës së Kosovës, z. Naser Avdiu ka kërkuar që pikësëpari Ministria e Shëndetësisë në fushën e ofrimit të shërimit pa pagesë për të gjithë minatorët e Kosovës si dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për sigurimin e mjeteve me të holla për pagesën e 72 minatorëve të cilët nuk i plotësojnë kushtet për pension të parakohshëm të ndërmarrin të gjitha masat që kjo çështje të rregullohet në mënyrën më të mirë të mundshme.
Në pjesën e dytë të mbledhjes ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z Arban Abrashi duke folur për këtë tematikë ka theksuar se Ministria të cilën e udhëheq ai ka informacione të bollshme për këtë problematikë dhe se para një kohe të shkurtër Zyra ligjore e kësaj ministrie ka hartuar projektplanin për tejkalimin e kësaj situate. Në afat sa më të shkurtër përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale do të kenë një takim të përbashkët me Menaxhmentin e Kombinatit "Trepça" ku do të shqyrtohet mundësia që brenda një afati sa më të shkurtër të gjendet mundësia për t`iu ndihmuar me të holla këtyre minatorëve të cilët nuk i kanë plotësuar kushtet për pension të parakohshëm. Në fund ministri Abrashi ka theksuar se shpreson që kjo çështje në afat sa më të shkurtër do të rregullohet në mënyrën më të mirë dhe do t`i përmbush kërkesat e të gjitha palëve të interesuara.