Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Mërkure, 03.06.2015
Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga zv.kryetari i parë, Ali Sadriu, pika të rendit të ditës ishin shqyrtimi i Raportit të Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Ministrisë së Integrimeve Europiane, për vitin 2014, si dhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës për funksionimin e Sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës, për vitin 2014. Mirëpo, në mungesë të prezencës së ministrit për Integrime Europiane, Bekim Çollaku, dhe ministrit të Financave, Avdullah Hoti, këto çështje mbetën të diskutohen në takimin e radhës të Komisionit.
Në vijim, Komisioni ka diskutuar lidhur me funksionalizimin e një Njësie të Auditimit të Brendshëm brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës, njësi kjo e cila do të bëjë auditimin e agjencioneve të pavarura, të cilat nuk kanë të themeluar këtë njësi dhe ato që nuk i plotësojnë kushtet për të themeluar këtë njësi, në bazë të Ligjit për Auditim të Brendshëm. Me qëllim të rritjes së efikasitetit të punës nëpër Agjencionet e Pavarura, Komisioni ka kërkuar nga Sekretari i Kuvendit që të sjellë një pasqyrë lidhur me numrin e Agjencioneve, të cilat nuk e kanë të themeluar këtë njësi të auditimit, në mënyrë që të vendoset se si do të procedohet më tutje.
Komisioni, po ashtu ka diskutuar edhe lidhur me përzgjedhjen e auditorëve, të cilët do të auditojnë shpenzimet e partive politike, për vitin 2013 dhe atë 2014. Me qëllim që kjo çështje të mos prolongohet tutje Komisioni ka kërkuar nga Sekretariati i Kuvendit që sa më parë të bëjë hapjen e konkursit publik, ku në përputhje me kriteret e parapara ne Ligjin për plotësim ndryshimin e Ligjit Nr.03/L-174 për financimin e subjekteve Politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-058, të zgjidhen së paku 10 auditorë të cilët do të auditojnë Raportet vjetore Financiare dhe Raportet e Deklarimit Financiar të fushatës së Subjekteve politike, për vitin 2013 dhe 2014.