Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Mërkure, 03.06.2015
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit, në rendin e ditës së mbledhjes së sotme kishte shqyrtimin në parim të Projektligjit për Procedurën e përgjithshme administrative. Në nismë të shqyrtimit, z. Pajaziti, thekoi se me këtë Projektligj synohet të bëhet një reformë e gjerë administrative publike, por në tekstin e këtij Projektligji vërehen disa lëshime,sidomos sa i përket përkthimit, ndaj është e nevojshme të bëhen amendamente. Shih për këtë, tha ai, në këtë shqyrtim është ftuar edhe Mahir Jagxhillar, ministër i Ministrisë së Administratës Publike.
Duke marrë fjalën, z. Jagxhillar, theksoi se Projektligji u dedikohet mbarë punonjësve të administratës, në pajtim me konceptin e administratës së avancuar, përkatësisht sipas standardeve evropiane. Teksti i Projektligjit është e nevojshme të përmirësohet që të jetë sa më funksional, duke propozuar njëherësh që ky Projektligj të përkrahet në parim. Gjatë debatit, nga ana e deputeteve u bënë shumë vërejtje,sidomos gjuhësore, që shkaktojnë pakuptimësi, duke e bërë projektligjin të paqartë. Bëheshin vërejtje edhe në anën përmbajtjesore, por edhe për përkthimet joadekuate. U tha se janë përdorur edhe terma që s' i shkojnë për shtat praktikës administrative. Në këtë mbledhje ishte e pranishme edhe Albulena Haxhiu, kryetare e Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit,e cila tha se në përmbajtjen e Projektligjit ka të meta serioze, të cilat nuk mund të zgjidhen me amendamente. Megjithatë, u shprehën mendime se përkundër këtyre mangësive,Projektligji të procedohet më tutje në Kuvend, ndërsa gjatë shqyrtimit të bëhen përmirësimet e nevojshme. Komisioni me shumicë votash përkrahu në parim Projektligji për Procedurën e përgjithshme administrative dhe njëherësh e procedoi tutje në Kuvend.