Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 03.06.2015




Shqyrtimi i Raportit financiar vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2014, ishte pikë e parë e rendit të ditës së Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit. Z. Naser Osmani i bëri një vështrim të përgjithshëm Raportit, duke theksuar edhe disa nga parametrat kryesorë të këtij Raporti. Ai tha se aktualisht ky medium financohet nga buxheti i Kosovës, në shkallën 0, 7 për qind të buxhetit të Kosovës. Në vijim ai theksoi se RTK-ja deri në tetor të këtij viti duhet të ofrojë një propozim për financim, sepse ndryshe do të mbetet pa financim.

Para anëtarëve të Komisionit për anën përmbajtjesore të Raportit folën edhe kryetari i Bordit të RTK-ës, Ismet Bexheti dhe drejtori i përgjithshëm i RTK-ës, Mentor Shala. Pasoi pastaj një debat i gjerë nga ana e deputetëve, të cilët duke u ndalur në parametrat financiarë, bënë vërejtje se vërehen tejkalime në shpenzimet për paga dhe mëditje, pastaj në mallra e shërbime,në udhëtime, etj.

Në fjalët e tyre z. Bexheti dhe z. Shala theksuan se shtimi i borxheve ka ardhur si rrjedhojë e zgjerimit të programit, përkatësisht pas hapjes së RTK 2, tre dhe katër. Shih për këtë, tha Mentor Shala, janë punësuar 200 veta në RTK 2, mirëpo në shpenzime kanë ndikuar edhe mallrat e shërbimet,investimet kapitale, si dhe pasurimi i skemës programore.

Në vijim anëtarët e Komisionit shqyrtuan kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës lidhur me rishikimin e buxhetit për vitin 2015. Me disa ndryshime u përkrahën këto kërkesa. Në vijim u shqyrtuan edhe kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës në bazë të Qarkores së parë të Ministrisë së Financave 2016/01, të cilat gjithashtu u përkrahën. Të dy këto kërkesa, të paraqitura nga drejtori i administratës së Kuvendit, Emrush Haxhiu, u proceduan në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës.

Komisioni shqyrtoi edhe Raportin financiar vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2014,të cilin para deputetëve e paraqiti, Musa Shabani. Buxheti i këtij Komisioni ishte 1, 8 milionë euro, ndërsa shpenzimet 1, 5 milionë euro.

Gjatë debatit u theksua se Raporti është mjaft i detajuar, ndërsa u përmendën edhe shumë probleme që e shoqërojnë veprimtarinë e këtij Komisioni. Në këtë vështrim u theksuan sidomos veprimtaritë ilegale të operatorëve ekonomik,( në aspektin se ata nuk paguajën obligimet ligjore,) borxhet e mëdha ( rreth 15 milionë), që vijnë nga mospagesa e obligimeve financiare të operatorëve ekonomik. Sa i përket Raportit u tha se ai teknikisht është i përgatitur shumë mirë, por është e nevojshme të ngrihet përgjegjësia, sidomos në ruajtjen e ambientit nga shkatërrimet e operatorëve të pandërgjegjshëm. Në përfundim të debatit, Komisioni procedoi këtë Raport për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa