Lajmet e fundit

Kryetari Veseli vizitoi Panairin e Librit në Prishtinë

E Mërkure, 03.06.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar sot Panairin e Librit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, të organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Gjatë kësaj vizite, kreu i Kuvendit bashkëbisedoi me botuesit dhe shitësit e librave, duke u interesuar njëkohësisht, për kushtet e veprimtarisë botuese e të plasimit të librave në treg, si dhe për shkallën e lexueshmërisë së tyre.

Duke u ndjerë i lumtur që gjendet në ambientin midis librave, kryetari Veseli tha se është mbresëlënës fakti që ky eveniment i rëndësishëm kulturor përcillet me një numër kaq të madh të shtëpive botuese dhe titujve të rinj në të gjitha fushat e dijes, artit e kulturës, dhe njëkohësisht ngjall interesim kaq të madh të qytetarëve.

Veseli tha se sa më shumë të kthehen njerëzit kah libri, aq më i madh do të jetë edhe interesimi ndaj problematikave që i shoqërojnë zhvillimet në vendin tonë.
"Krijimtaria artistike dhe intelektuale gjithmonë ka qenë një tipar i dalluar i kulturës sonë kombëtare. Këtë fuqi krijuese, sot, duhet ta kthejmë në faktorin kryesor të zhvillimit ekonomik dhe demokratik të vendit tonë", theksoi kryetari i Kuvendit.