Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit
E Mërkure, 03.06.2015
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, u shqyrtua dhe u përkrah raporti vjetor i punës së Agjencisë Kosovare për Prona, për vitin 2014, (të cilin e prezantoi u.d e zv.drejtorit ekzekutiv në AKP, Florije Kika). Ky raport procedohet në seancë plenare.
Anëtarët e Komisionit po ashtu shqyrtuan edhe propozimet për emërimin e anëtarëve të Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës. Me këtë rast, kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, theksoi faktin se dy nga anëtarët e propozuar nuk i plotësojnë kriteret.
Megjithatë, kjo çështje, me shumicë votash të anëtarëve të komisionit, u vendos që të procedohet në seancë plenare për shqyrtim.
Ndërkaq, shqyrtimi i propozimit të Gjykatës Supreme të Kosovës për emërimin e anëtarit në Komisionin për kërkesa pronësore është shtyrë për mbledhjen tjetër të radhës.
Krejtësisht në fund, anëtarët e komisionit diskutuan edhe lidhur me punën e grupit punues për hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.