Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
E Mërkure, 03.06.2015
Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në mbledhjen e sotme shqyrtoi Raportin e Panelit rekrutues për përzgjedhjen e kandidatëve për Avokat të Popullit.
Kryetarja e komisionit, njëherësh kryesuese edhe e Panelit intervistues, Lirije Kajtazi, tha se procesi ka qenë transparent dhe pa ndikime politike.
Duke paraqitur këtë raport, ajo njoftoi se në garën për Avokatin e Popullit kanë qenë 24 kandidatë, ndërsa 23prej tyre janë paraqitur në intervistë.
Duke paraqitur rezultatet e Panelit intervistues, ajo në vijim njoftoi se kandidatët e vlerësuar me më së shumti pikë janë: Hilmi Jashari - 90. 28 pikë, Isa Hasani - 80. 57 dhe Shqipe Ibraj- Malaj, 78.14 pikë.
Komisioni miratoi raportin e Panelit rekrutues, i cili do të procedohet tutje.