Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Hënë, 01.06.2015




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari Kadri Veseli, vendosi që seanca e ardhshme të mbahet të enjten, më 4 qershor, në orën 10:00.

Në këtë seancë, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga Kryesia, pritet të zhvillohet një interpelancë dhe të shqyrtohen disa raporte.

Kështu, pas kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, pritet të zhvillohet interpelanca e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për përgjegjësinë lidhur me procesin e demarkacionit të kufirit në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Më pas, do të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit të posaçëm për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe të zgjedhet një anëtar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Në seancën e të enjtes, pritet të shqyrtohen edhe dy raporte: raporti i Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, si dhe raporti i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor për cilësinë e grurit të importuar.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia vendosi që ta procedojë në komision parlamentar Projektligjin për rregullimin e shërbimeve të ujit, ndërsa miratoi raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2015, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa. Kryesia shqyrtoi gjithashtu, edhe disa kërkesa, si dhe u njoftua me vizita jashtë vendit të delegacioneve të ndryshme të Kuvendit.

 

 

Nga mbledhja e Kryesisë së KuvenditNga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit