Lajmet e fundit
Mbledhja plenare e Kuvendit
E Premte, 29.05.2015
Në mbledhjen e sotme plenare, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pikë e rendit të ditës ishte shqyrtimi i propozim-amendamentit nr.24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, kjo çështje me përkrahjen e votave të deputetëve është shtyrë.
Me këtë rast, Adem Grabovci, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, paraqiti propozimin për shtyerje te seances, për shkak se ,siç tha ai, të disa çështjeve teknike. "Pas konsultave që kemi pasur me koalicionin qeverisës, jemi dakorduar që në mungesë të materialeve nuk ofrohet mundësia për deputetët për të parë se çfarë do të votojnë dhe meqë draftligji pritet të kthehet nga Brukseli, ne propozojmë që të shtyhet mbledhja, derisa të kemi materialet e nevojshme për analizim për këtë çështje", tha Grabovci.
Ndërkaq, Glauk Konjufca, kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, theksoi: "Vetëvendosje lidhur me këtë rast është për dy alternativa të mundshme. Ose nuk duhet të hyjë në Kuvend kjo çështje, ose duhet të shtyhet deri në pafundësi. Cilido nga ky version, është i pranueshëm nga Vetëvendosje", tha Konjufca.
Pasi u hodh në votim propozimi për shtyrje të seancës plenare për këtë pikë të rendit të ditës, deputetët e përkrahën atë, me 78 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime.