Lajmet e fundit
Nga seanca plenare e Kuvendit
E Enjte, 28.05.2015
Në seancën e sotme plenare, të drejtuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ( një pjesë të seancës e ka drejtuar nënkryetari Xhavit Haliti) deputetët shqyrtuan për herë të dytë dhe miratuan nëntë projektligje që ndërlidhen me procesin e liberalizimit të vizave.
Raportin me rekomandime, në emër të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Persona të Pagjetur (si komision funksional) lidhur me Projektligjin për Avokatin e Popullit e ka prezantuar deputetja Lirie Kajtazi, e cila ka kërkuar që projektligji të miratohet bashkë me amendamentet e propozuara.
Për Projektligjin kundër Diskriminimit, Raportin me rekomandime e ka paraqitur deputetja Teuta Haxhiu, kurse atë për Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Gjykatat, e ka paraqitur nënkryetari i Komisionit për Legjislacion, Armend Zemaj.
Sasha Millosovleviq ka paralajmëruar që deputetët nga radhët e Listës Serbe do të votojnë kundër këtyre ligjeve për shkak të përkthimit shumë të keq të tyre në gjuhen serbe. Ai ka thënë se deputetët serbë nuk janë kundër këtyre ligjeve dhe kundër procesit të liberalizimit të vizave, por thjesht nuk do t'i votojnë për shkak të gjuhës së përçudnuar serbe të përdorur gjatë përkthimit të tyre.
Raportin me rekomandime në emër të Komisionit për Lgjislacion, lidhur me Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, e ka prezantuar Donika Kadaj-Bujupi. Kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, ndërkaq ka paralajmëruar se Grupi Parlamentar i i VV-së nuk do ta votojnë amendamentin nr. 7, lidhur me Këshillin Gjyqësor.
Albulena Haxhiu e ka paraqitur raportin me rekomandime lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, siç e ka paraqitur raportin me rekomandime lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka kërkuar që kryeprokurori i shtetit të jetë anëtari i KPK (me të drejtë vote), dhe ka polemizuar me deputetë nëse të drejtë përfaqësimi me votë ka edhe ndonjë i deleguar tjetër i prokurorit të shtetit.
Projektligji për Përgjimin e Telekomunikimeve, raportin me rekomandime për të cilin e ka paraqitur kryetarja e Komisionit për Integrimeve Evropiane, Teuta Sahatqija, ndërkaq, ka ngjallur debat të gjallë në Kuvend. Kanë diskutuar shumë deputetë për çështjen e ndjeshme të përgjimeve dhe në kontekstin e nevojës së sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Ka pasur vërejtje , ndërkaq, për faktin që si komision funksional është caktuar komisioni për integrime Evropiane në vend të atij për Punë të Brendshme dhe Siguri.
Raportin me rekomandime lidhur me Projektligjin për kompensimin e viktimave të krimit, e ka paraqitur deputeti Armend Zemaj.
Të gjitha këto nëntë projektligje që ndërlidhen me procesin e liberalizimit të vizave janë miratuar me shumicë votash të deputetëve.
Në përfundim të seancës deputetët kanë shqyrtuar për herë të parë Projektligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, të cilin e ka prezantuar ministri i Financave, Abdullah Hoti. Ai është përqendruar në zvogëlimin e TVSH-së për shumë produkte ushqimore dhe heqjen e saj për shumë të tjerë në funksion të nxitjes së zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Në emër të komisionit për Buxhet dhe Financa ka folur Naser Osmani, cili këtë projektligj e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm për realizimin e Pakos fiskale të Qeverisë.
Kanë pasuar fjalimet në emër të grupeve parlamentare: Labinotë Demi-Murtezi (PDK), e cila i ka ftuar deputetët që ta përkrahin këtë projektligj, Ilir Deda (VV) projektligjin e Qeverisë e quan manovër për të siguruar nj buxhet për më shumë rrugë dhe vetura për zyrtarët qeveritarë: Bali Muharremaj, ndërkaq, ka shprehur qëndrimin mospajtues të GP të AAK-së, duke paralajmëruar mosmbështetjen e projektligjit. Enver Hoti, në emër të GP NISMA, megjithëse ka shprehur kritika të shumta premtoi se do ta përkrahin në parim, siç e kanë mbështetur edhe GP Lista Serbe dhe ai 6+. Vlerësime për dhe kundër projektligjit të propozuar kanë shprehur edhe shumë deputetë të tjerë.
Në përfundim të debatit me shumicë votash të deputetëve është miratuar në parim Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Janë ngarkuar komisioni funksional dhe komisionet e përhershme që ta shqyrtojnë projektligjin dhe t'i përgatisin amendamentet për të.