Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Bujqësi...
E Mërkure, 27.05.2015
Gjendja aktuale në pyjet ë Kosovës, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, të cilën e kryesoi Fikrim Damka, kryetar i Komisionit.
Lidhur me këtë, anëtarët e Komisionit u njoftuan nga kryeshefi ekzekutiv i Agjencionit të pyjeve të Kosovës (APK), Ahmet Zejnullahu.
Duke folur për angazhimet e këtij Agjencioni, Zejnullahu vuri në spikamë hartimin e Planit vjetor operacional për menaxhimin e pyjeve, pyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura dhe memorandumin e arritur me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Duke folur për sfidat, ndërkaq, Zejnullahu theksoi se kompetencat për mbrojtjen e pyjeve, të shpërndara në katër institucione, shkaktojnë konfuzitet dhe paqartësi të mëdha lidhur me mbrojtjen e tyre. "Në vitin 2010, komunave u është deleguar kompetenca për mbrojtjen e pyjeve, ndërkaq, 28% e pjesës tjetër të pyjeve kanë statusin e parqeve nacionale, të cilat menaxhohen nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Në mbrojtjen e pyjeve, po ashtu, është përgjegjëse edhe Ministria e Bujqësisë. Kjo shpërndarje kompetencash, nuk mund të sigurojë mbrojtje të pyjeve. Mbrojtja efikase e pyjeve arrihet me miratimin e Ligjit ", tha Zejnullahu. Ai më tej shtoi se rishikimi i Ligji për pyjet duhet proceduar sa më shpejtë dhe përmes tij të qartësohen kompetencat në mes të institucioneve relevante për mbrojtjen e tyre.
Anëtarët e komisionit, ndërkaq, falënderuan kryeshefin e Agjencionit Zejnullahu, si dhe ngritën një varg çështjesh për të cilat morën edhe përgjigjet. Ata po ashtu u shprehën se do të mbështesin çdo nismë të Agjencionit, me theks të veçantë procedimin sa më të shpejtë të Ligjit për pyjet.
Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për problemet që kanë prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit.
Lidhur me këtë, komisioni u njoftua nga përfaqësuesi i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Ramadan Memaj. Përfaqësuesi i kësaj shoqate tha se moszbatimi i ligjit, konkurrenca jolojale dhe keqpërdorimi i parasë publike, këtë sektor e ka sjellë në gjendje të keqe. Për këtë, ai fajësoi Agjencionin e Ushqimit dhe të Veterinës, e cila sipas tij, ka lejuar dhe vazhdon të lejojë importin e ushqimeve, të cilat kanë prejardhje bimore, e jo të qumështit. Kjo ka bërë , vijoi ai, që të krijohet konkurrencë e pabarabartë në mes të prodhuesve vendorë dhe importuesve, ndërkaq, u angazhua që kjo gjendje të ndryshojë.
Anëtarët e komisionit u shprehën të gatshëm për bashkëpunim deri në gjetjen e një mënyre për zgjidhjen sa më të mirë të kësaj çështjeje.