Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës
E Mërkure, 27.05.2015
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Daut Haradinaj, u caktuan grupet e punës lidhur me Projektligjin Nr.05/L-22 për Armë, Projektligjin Nr.05/L-17 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.03/L-246 për Pajisje me Armë, Municion dhe Pajisje Përkatëse të Sigurisë për Institucionet e Autorizuara Shtetërore për Siguri, si dhe Projektligjin Nr. 05/L-15 për Letërnjoftim.
Në vijim të mbledhjes, Komisioni u dakordua që të ftojë kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, në një takim informues lidhur me gjendjen e sigurisë.
Ndërkaq, gjatë diskutimit të tyre lidhur me raportimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, lidhur me ngjarjet në Kumanovë të Republikës së Maqedonisë (që u mbajt më 18 maj), anëtarët e komisionit vendosën që të zhvillojnë një takim të përbashkët edhe me Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjensionit Kosovar për Intelegjencë, për të sqaruar disa çështje që kanë dalë nga ai takim.