Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 26.05.2015
Shqyrtimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patenta, ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit.
Në mbledhje ishte e pranishme edhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Hykmete Bajrami, e cila gjatë prezantimit të këtij projektligji vuri në spikamë rëndësinë dhe fushën që rregullon ai. Ajo fillimisht njoftoi për gjendjen në ministri, përkatësisht në Zyrën për Pronësi Industriale, e cila sipas saj, nuk është e aftë të përmbushë objektivat e parapara në kuadër të Ministrisë. Më tej, ministrja Bajrami shtoi se Projektligji i propozuar është si nevojë e ndryshimit të kësaj gjendjeje të trashëguar në këtë zyrë, ndërkaq, u shpreh e bindur se projektligji i propozuar do të zgjidhë çështjet e ngecura.
Duke folur më tej për këtë projektligj, ajo po ashtu tha se ai parasheh që Zyrën për Pronësi Industriale, ta shndërrojë në Agjencion, sepse sipas saj, kjo do të ishte mënyra më e mirë e riorganizimit të zyrës. Po ashtu, ministrja u shpreh se Projektligji i propozuar është i harmonizuar edhe me legjislativin e BE-së.
Anëtarët e komisionit, ndërkaq, paraqitën vërejtjet e tyre dhe njëkohësisht ngritën një varg çështjesh, për të cilat dha sqarime ministrja Bajrami.
Pas kësaj, Projektligji u hodh në votim dhe rezultoi me katër vota për dhe katër abstenime. Bazuar në rezultatin e këtij votimi, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për patenta, nuk është miratuar në parim nga komisioni.